Akciza e akoolit, tani në bazë të fortësisë jo të peshës
Financat gati draftin për mënyrën e re sesi do të përllogaritet akciza për pijet alkoolike. Lajmin e ka bërë të ditur nëndrejtori i doganave, Sajmir Lacej, në takimin e organizuar dje nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me komunitetin e biznesit. Në këtë mënyrë, pijet alkoolike do të paguajnë taksën si pije luksi në bazë të përqindjes së alkoolit dhe jo më për sasinë në litër. Kjo mënyrë e re përllogaritje e akcizës është për t’u afruar me standardet e Bashkimit Europian. Ndryshimi i ri në ligjin për akcizat përcakton që kjo taksë të paguhet e përshkallëzuar. “Akciza për pijet alkoolike të distiluara llogaritet në bazë të përqindjes së alkoolit të pastër. Në ligjin ekzistuese akciza llogaritet mbi volumin e lëngut, pavarësisht sa është përqindja e alkoolit që ka në përbërje të kësaj pije alkoolike. Në ligjin e ri, në përputhje edhe me standardet në fuqi në vendet e BE, akciza do të përllogaritet mbi bazën e përqindjes së volumit të alkoolit”- tha nëndrejtori i Doganave, Sajmir Laçej. Sipas drejtuesve të doganave, drafti është tanimë gati dhe pritet të diskutohet me grupet e interesit. Referuar draftit të ri, akcizat do të administrohen tanimë nga doganat dhe jo më nga tatimet.
Çmimet e referencave
Një nga temat e nxehta që vijoi të diskutohet edhe në këtë takim me komunitetin e biznesit ishin pagesat e referencave. Biznesi gjatë takimit të djeshëm ngriti zërin kundër doganave, se këto të fundit përdorin masivisht çmimet e referencave duke rritur kostot e produkteve që ata blejnë nga jashtë. Në këtë mënyrë, Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkoi drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Flamur Gjyrmyshkës, të ndalojë referencat për produktet që blihen nga vendet e zhvilluara. Nga ana e tyre, drejtuesit e doganave u shprehën se zhdoganimet me çmimet e referencave kanë ardhur në rënie të vazhdueshme dhe po përdoren gjithmonë e më pak. "Aktualisht e kemi 15 për qind zbatimin e kësaj metode, tentojmë që të shkojmë në 13 për qind dhe gradualisht duke e ulur" - u shpreh kreu i doganave. Nga ana tjetër, bizneset këmbëngulin se hasin vështirësi në këtë periudhë krize me çmimet e referencave. "Gati 90 për qind e cigareve që hyjnë në Shqipëri janë nga Europa dhe nga Bashkimi Europian. Në 90 për qind të këtyre cigareve aplikohet çmimi i referencës, mos them 100 për qind të rasteve", thotë Andi Nano, nga "Japan Tobacco international". Ndërsa Genc Boga, përfaqësues nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, tha se "ne kemi qenë dëshmitarë kur na u njoftua nga një prej drejtorëve të përgjithshëm për heqjen e çmimeve të referencave, dhe një vit pas na u tha se çmimi i referencave është shtylla e sistemit doganor. Qe një shok. Nuk e dimë se cili është trendi.”
Zhdoganimi i makinave
Gjatë takimit me biznesin u diskutua gjithashtu edhe situata në tregun e automjeteve pas hyrjes në fuqi të ligjit. Të dhënat nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave rezultuan se ligji i ri për importin e makinave ka reduktuar vlerën e zhdoganimit në 70 për qind. Flamur Gjyrmishka bëri të ditur se ky minimizim i vlerës së zhdoganimit vjen pasi tashmë aplikohet vetëm TVSH-ja mbi çmimin e faturës. Më parë TVSH-ja aplikohej edhe mbi taksat e tjera, siç ishin ato për mbrojtjen e mjedisit. “Karburantet të cilat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë pasur një rënie për shkak të vënies në funksionim të prodhimit të brendshëm, kryesisht të Ballshit, i cili ka pasur një funksionim përgjatë gjithë periudhës së gjashtëmujorit të parë”- tha drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjyrmishka. Por me ligjin e ri, sipas tij, do të ketë koeficient përkatës për naftën dhe benzinën ashtu siç e përcakton formula e përllogaritjes për taksën e makinës që do të paguhet një herë në vit.