E Diel, 1 Nëntor 2026

Akreditimi i spitaleve ndiqet modeli francez

Shqipëria do të huazojë modelin francez për akreditimin e institucioneve shëndetësore. Arsyeja sipas Kreut të Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore, Isuf Kalo është se ky shtet është pionier në këtë drejtim. Kalo sqaron se hapi i parë drejt këtij procesi ai i vetëvlerësimit ka kaluar dhe tani do të shtrihen kontrollet për të parë se sa reale janë të dhënat e deklaruara. Më tej do të nisin aplikimet për përfitimin e akreditimit. Interes më të madh, shton Kalo vazhdojnë të kenë spitalet private.

"Është zgjedhur Franca, është vendi pararojë në procesin e akreditimit në Europë. Do i marrim pikërisht eksperiencën gjatë procesit të aplikimit. Ne kemi një sinergji në ndërtimin e procesit. Së pari, të një instrumenti përmirësimi të brendshëm të cilësisë së institucioneve shëndetësore. Pra, institucionet njihen me standardet, i vlerësojnë vetë standardet, identifikojnë vetë ku i kanë mangësitë, dhe po vetë bëjnë një proces të përmirësimit të tyre përpara se të vlerësohen nga jashtë", thotë Isuf Kalo, Drejtor i QKCSA-ISH.

Eksperti francez në fushën e akreditimit, Yves Matillon thotë se ky proces është mjaft i gjatë dhe Francës i janë dashur 15 vjet, që të akreditojë mbi 3 mijë qendra shëndetësore.

“Jam nga të parët që jam marrë me akreditimin e institucioneve shëndetësorëe në france. U deshën shumë vite, që të akreditoheshin 3500 spitale. Është proces I gjatë. Kemi nisur 15 vjet më parë dhe ende nuk ka përfunduar akreditimi i shumë spitaleve të tjerë”, u shpreh Yves Matillon, Ekspert në fushën e Akreditimit

Hallka e parë e këtij procesi ajo e vetëvlerësimit të institucioneve shëndetësore ka përfunduar një vit më parë. Pjesa më e madhe e këtyre institucioneve nuk plotësojnë ende standartet. Ndaj ato kanë rinisur nga puna për tu përmirësuar para se të nisin aplikimin për tu akredituar përfundimisht.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›