E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantet ne konkurs per arkitekturen

Janë rikthyer sërish ethet e konkurseve të mëdha në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Kamera e AS ka vëzhguar nga afër rreth 300 maturantë, nga të gjitha rrethet e vendit të cilët i janë nënshtruar fazës së parë të provimeve për degën e arkitekturës dhe urbanistikës. Për herë të parë këtë vit konkursi ka më shumë pikë dhe është vendimtar për përcaktimin e fituesve.

"Faktikisht në bazë të kuotave që ka parashikuar ministria e Arsimit, janë 80 kuota për pranimin në degën e arkitekturës dhe 40 kuota për urbanistikën. Është vendosur një emërues i përbashkët për të gjitha ato degët që janë me konkurs duke i lënë një përqindje prej 40 për qind të maturës shtetërore, dhe 60 për qind pikëve të konkursit", tha Andrea Maliqari, dekan i fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit.

Përsa i përket listës së fituesve ajo pritet të dalë në fillim të javës që vjen, pasi vlerësimi do të jetë elektronik. "Nëse faza e parë e realizimit përfundon ditën e dielë me seancën e tretë, ditën e hënë mblidhet komisioni i vlerësimit, i cili brenda 24 orëve do të nxjerr rezultatin", tha Maliqari.

Pas mbylljes së konkurseve për arkitekturën dhe urbanistikën, pritet që të fillojë faza e fundit e përllogaritjes së pikëve për fituesit në universitete, të cilët pritet të shpallen rreth datës 13 shtator.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›