E Diel, 1 Nëntor 2026

Akreditimi i universitetve, mijëra studentë rrezikojnë diplomat

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Akreditimi i Universiteteve

Një kompani amerikane do të bëjë vlerësimin e arsimit të lartë publik dhe privat

Universitetet publike dhe ato private do të testohen nga një kompani amerikane pwr cilwsi nw diploma. Në ndjekje të shembullit të Kosovës edhe Shqipëria do t ia besojë vlerësimin e standarteve të arsimit të lartë, një kompanie të huaj. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Konferencës së Rektorëve Jorgaq Kacani pas një noftimi zyrtar të dhënë nga ministri Pollo. Akreditimi
Vlerësimi apo akreditimi që do të bëhët nga kompania amerikane do të paraqesë renditjen në pikë të Institucioneve të Arsimit të Lartë, duke u nisur nga programet e veçanta të studimit, nivelin e zhvillimit të procesit mësimor, përgatitjen e stafit akademik, procedurat e vlerësimit dhe ato të pranimit në universitete, procedurat e hartimit të programeve, burimet financiare dhe menaxhimi i përditshëm financiar. Edhe ligji për arsimin e lartë do të jetë pjesë e këtij verifikimi.
Konferenca e Rektorwve
“Të gjitha universitetet shqiptare në fund të procesit të vlerësimit të jashtëm do të kenë mundësinë që të renditen mbi bazën e cilësisë që ata sigurojnë,” tha Jorgaq Kacani, kryetar i Konferencës së Rektorëve. Kompania amerikane e vlerësimit të cilësisë të Institucioneve të Arsimit të Lartë pritet të mbërrijë në shtator në Shqipëri. Ajo do të kryejë akreditimin e jashtëm për çdo institucion publik dhe privat të Arsimit të Lartë shqiptar. "Nisma e ndërmarrë nga Qeveria, nën kujdesin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo dhe e mbështetur nga Banka Botërore, pritet t i japë rezultatet brenda vitit të ri akademik", deklaroi Kryetari i Koferencës së Rektoreve, Prof. Dr. Jorgaq Kacani.
Universitetet
Në Shqipëri numërohen 12 Universitete publike dhe rreth 15 private, këto të fundit të çelura pas vitit 91. "Vlerësimi do të paraqesë një renditje me pikë jo vetëm të Institucioneve të Arsimit të Lartë, por edhe të programeve te veçanta të studimit, pra për çdo diplomë", shpjegoi Kacani. Sipas tij, raporti i vlerësimit të jashtëm të kompanisë amerikane, do të mbështetet në raportin e vetëvlerësimit, në dokumentacionin e konsultuar, si dhe rezultatet e vizitës në vend në IAL-vë.
Rezultatet
Rezultatet e vlerësimit të kompanisë amerikane do të bëhen publike nga MASH, e cila mbi bazën e tyre (rezultateve) do të marrë dhe masat përkatëse ndaj universiteteve publike dhe private, që nuk plotësojnë standardet deri në mbylljen e tyre. Rezultatet e kontrolleve të Agjencisë së Akreditimit dhe kompanisë së huaj vlerësuese, mund të çojnë në mbylljen e disa universiteteve private, që nuk përmbushin standartet.
Mbyllja e universiteteve
Por në kushtet kur nisja e këtij procesi nuk është larg, nën shembullin e përvojës së fundit kosovare, pyetjes së mediave për fatin e studentëve pas mbylljes së Universiteteve për të cilat paguajnë, Kacani i përgjigjet: "Në raste të tilla do të zbatojmë dhe eksperiencën e vendeve të huaja që mund të jetë procesi i përfundimit të studimeve apo kalimi në universitetet e tjera, të cilat do të jenë të akredituara dhe të njohura. Mbi të gjitha do e konsideroja që një qëndrim personal, privat, i vetë studentëve që e ndjekin këtë universitet. Ajo diplomë që është marr është e ligjshme ku çdo njeri mbi bazën e saj do të ketë të drejtën të tregojë aftësitë e veta", u shpreh Kacani. Diplomat
Pra sipas Kacanit mbyllja e universiteteve jo publike, për manëesi në standarde nuk djeg studentët tashmë të diplomuar në to. Diploma e tyre do të jetë e vlefshme pavarsisht reputacionit të universitetit pas akreditimit.

Jorgaq Kacani
“Nuk digjen studentët e diplomuar”
"Në rast të mbylljes së universitetit privat pas procesit të akreditimit do të mendohet për një zgjidhje edhe për studentë të cilët tashmë janë diplomuar, por edhe për ata që kanë nisur studimet. Në raste të tilla do të zbatojmë dhe eksperiencen e vendeve të huaja që mund të jetë procesi i pëfundimit të studimeve apo kalimi në universitetet e tjera, të cilat do të jenë të akredituara dhe të njohura. Mbi të gjitha do e konsideroja që një qëndrim personal, privat, i vetë studentëve që e ndjekin këtë universitet. Ajo diplomë që është marr është e ligjshme ku çdo njeri mbi bazën e saj do të ketë të drejtën të tregojë aftësitë e veta", u shpreh Kacani.

Dhori Kule
Akreditimi do të tregojë cilësinë e diplomave të IAL private

Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, mbështet nismën e akreditimit të universiteteve private dhe atyre publike. Duket se kjo nismë për Kulen vjen në kohën e duhur pasi numri i universiteteve private është shtuar shumë në vend, ndërsa vihet në dyshim cilësia e produktit të tyre pasi janë mijëra të rinj që diplomohen në universitetet private. "Akreditimi konfirmon standardet ligjore evropiane, tashmë jemi futur te kjo zonë, për t u konsideruar si i tillë. Agjencitë akredituese që janë licensuar si të tilla e dinë se çfarë kërkojnë dhe akreditim thotë që kjo është një ofertë me standarde. Ndërsa faza e renditjes së universiteteve është një procedurë pak më e vështirë se sa akreditimi sepse kërkon më shumë punë nga kredituesi pasi ka një larmi kurikulash, degësh programesh dhe kur renditen krahasohen të barabarta ", u shpreh Kule.

Leonard Solis
“Te privati janë diplomuar pseudodoktorë”
Ndërsa sipas deputetit te PBDNJ-se dhe ish-ministrit të Shëndetësisë Leonard Solis, ky proces duhet të jetë konkret dhe të parashikojë edhe masa për universitetet që nuk plotësojnë kushtet. "Unë do doja që dhe Ministria e Arsimit të testonte, të akreditonte universitetet dhe do të dilte që ne nxjerrim pseudo infermiere e doktorë e që Shqipëria do të vuajë për një kohë shumë të madhe", u shpreh Solis.

Fazat e vlerësimit

Kjo nismë do të mbështesë MASH-in dhe Agjencinë e Akreditimit në kryerjen e Vlerësimit Institucional të pavarur të IAL publike dhe private kundrejt kërkesave dhe standardeve europiane të harmonizuar me ato kombëtare. Si rrjedhojë, shumë shpejt do të kemi një vlerësim ndërkombëtar të jashtëm të institucioneve kombëtare, përsa i takon cilësisë së tyre. Këtu përfshihet Agjencia e Akreditimit, Këshilli i akreditimit, MASH. Vlerësimi i Jashtëm i Cilësisë në Arsimin e Lartë do të implementohet në tri faza. Faza përgatitore përcakton se Agjencia shqiptare e akreditimit dhe kompania vlerësuese do të hartojnë planin kalendar dhe planin e vlerësimit. Procesi i vlerësimit të IAL dhe Agjencisë Kombëtare të Akredimit të Arsimit të Lartë do të bëhen paralelisht. Agjencia e Akreditimit do të sigurojë informacionin e nevojshëm dhe kompania do të hartojë dhe prezantojë listën për vlerësimin institucional. Më pas grupi i ekspertëve do të verifikojë në vend të gjithë IAL sipas axhendës së përgatitur. Agjencia do të koordinojë dhe asistojë të gjithë procesin e verifikimit në vend dhe respektimin e programit paraprak.

Raportet
Faza e fundit përcakton se grupi i vlerësimit paraqet raportet individuale të vlerësimit për çdo IAL të vlerësuar dhe raportin e vlerësimit për agjencinë. Rezultatet finale do t i paraqiten MASH. Për vlerësimin institucional të IAL, Agjencia Kombëtare e Akreditimit duhet t i vendosë në dispozicion kompanisë amerikane informacionin ekzistues dhe të dhëna mbi IAL si, dokumente ligjore, ndër të cilat ligji i arsimit të lartë, strategjia kombëtare për arsimin, listën e IAL publike dhe private, evidenca të vlerësimeve të mëparshme, informacione të tjera analitike të krahasueshme në lidhje me programet e studimit, shpërndarja e listës dhe monitorimi i procesit të përgjigjeve. Në lidhje me vlerësimin e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë Agjencia duhet të sigurojë informacione mbi aktivitetin e tyre, të përgatisë raport vetëvlerësimi, të sigurojë dokumente ligjore dhe akte nënligjore në lidhje me sigurimin e cilësisë. Në bazë të të dhënave për vendimmarrjen në fushën e akreditimit, të marra nga MASH, kompania do të përgatisë planin e punës, metodologjinë, procedurat për vlerësimin institucional, metodologjinë për të bërë krahasimin dhe radhitjen, etj.
Ky lajm është publikuar: 26/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›