E Diel, 1 Nëntor 2026

Pango: Kush i do fushat e sportit pallate

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka shpjeguar dje për “Ballkan” të vërtetën e kundërshtimit të ligjit për “Sportin” nga ana e opozitës. Ai i përgjigjet të gjithë atyre deputetëve, të cilët nga salla e Kuvendit dhe jashtë saj e akuzojnë se ka formuluar një ligj antisportiv. Pango ka zbardhur se kush fshihet pas këtyre kundërshtimeve dhe cilët janë ata të që duan të “gllabërojnë” komplekset sportive me qëllim ndërtimin e komplekseve të banimit. Një tjetër e vërtetë, e cila vjen nëpërmjet kësaj interviste është edhe përplasja e ministrit me organizatorët e “Butrinti 2000”.

Si do t i përgjigjeshit akuzave të opozitës që janë bërë kundrejt jush në lidhje me “ligjin për sportin”, por dhe për mbarëvajtjen e disa institucioneve dhe muzeve të kulturës?
Përsa i përket ligjit “për sportin” opozita ka dëshirë, që një drejtor klubi të privatizojë një kompleks sportiv dhe të ndërtojë pallate. Kurse, ne meqë jemi shtet ligjor dhe shtet i ekonomisë së tregut dhe i respektit për pronën private, si në çdo fushë tjetër i dhamë të drejtë pronarit në radhë të parë që ta privatizojë. Nuk flitet këtu për stadiume, flitet për terrene sportive, ku supozojmë bëhet stërvitje. Por, duhet të dini se në asnjë vend të botës nuk të fal njeri terrene sportive. Klubet nëpër botë blejnë terRene sportive dhe jo brenda në qytet siç mendojnë këta. Po të shikosh ekipet e mëdha të botës, por opozita nuk njeh as sportin për fat të keq, për shembull Interi e ka jashtë Milanos në Komo qendrën e vet sportive, po ashtu dhe klube të tjera të mëdha. Këta mendojnë se jemi në ato kohëra, të qoftë largut, dhe prandaj i kemi shkelur diku në kallo, sepse ligji ka qenë ndryshuar më parë me këtë qëllim, pra ka qenë siç e kemi sot dhe e kanë ndryshuar që t i jepet prioritet me qëllim gllabërimin nga drejtuesit e klubeve, të cilët nuk janë pronarë. Pikërisht këta janë goditur dhe janë po këta që e bëjnë zhurmën bashkë me opozitën.
LSI ju akuzon drejtpërdrejtë për punën e Ministrisë tuaj në fushën e turizmit si dhe përsa i përket mirëmbajtjes së monumenteve të kulturës, cili është komenti juaj?
Në turizëm po them shprehjen shqiptare “të na marrin të keqen”, sepse nga 250 mijë që ka qenë numri më i madh në kohën e socialistëve në 2004, vjet kemi pasur 2.1 milionë këtë vit, kam premtuar se do të ketë më shumë. Kemi bërë promocion, reklamë, të paparë duke e bërë Shqipërinë të njohur në gjithë botën. Kemi dalë me spote në CNN, tani po përgatitet të shfaqet në EuroNews, spoti ynë rajonal për Ballkanin është shfaqur vjet, po shfaqet dhe këtë vit, me sukses në Shkup dhe Prishtinë dhe televizionet rajonale. Dhe nuk është koençidencë që deri në fund të qershorit kemi 130 mijë shtetas maqedonas dhe 110 mijë nga Kosova, në një kohë që zërat ogurzinj në fillim thonin nuk do të vijnë në Shqipëri. Ndërkohë që po e konkurrojmë me dinjitet Malin e Zi dhe vetë Maqedoninë, e kam deklaruar jemi shumë më përpara me numër turistësh, dhe këto kanë ndodhur në saj të faktit që ne bëhemi gjithnjë e më të njohur, që ekonomia jonë ecën, që infrastruktura po rregullohet, sidomos në jug të vendit, që morëm ftesën për anëtarësim në NATO, e cila është siguri më e madhe për turistët, por dhe për promocionin e madh që është bërë. Ku ke paketa turistike të mëdha, albume, guidën e madhe shqiptare, spotet në TV ndërkombëtare, ëebsaid-in mbi 500 faqe, ne po e bëjmë shqipërin të njohur. Me socialistët nuk e kanë njohur se çishte turizmi. Ndërkohë që investitorë të mëdhenj kanë ardhur, një investitor nga Katari, i cili fillon nga puna në shtator në gjirin e Lalzit vetëm projekti turistik i ka kushtuar 1 milion euro, Klab Medi në Kakome, një grup i madh investitorësh britanikë në Gosë të Kavajës, po sot (dje) është prezantuar një tjetër grup anglezësh për investime në fushën e turizmit, socialistët nuk kanë ditur se ç është turizmi ne po e bëjmë atë prioritet.
Ditët e fundit në bregdetin shqiptar po vërehet një dyndje shtetasish maqedonas, si do ta komentonit këtë zgjedhje të tyre duke parë se shteti fqinj e ka të zhvilluar turizmin si në Ohër ashtu dhe në Strugë, përse zgjodhën Shqipërinë për të kaluar pushimet?
Unë do të desha t ju kujtoj disa gjëra, këta (socialistët) çdo gjë që bëjmë ne, edhe pse bën “muu”, nëse do të shprehesha kështu, falë punës tonë përpiqen të gjejnë ndonjë kleçkë dhe t ja atribuojnë faktorëve të tjerë. Po i referohem vetëm një shembulli, kur kam sjellë statujat nga Greqia në Butrint, media zakonisht nuk e ka kujtesën e dobët, por disa bëjnë sikur e kanë të tillë. Vjet kam biseduar me homologun tim Vulkarakis, që në qershor në takimin që pata në Olimpia i kam kërkuar statujat, nëpër shtypin shqiptar u përmend: “Pango i kërkon Vulgarakis statujat”, dhe u vlerësua kërkesa, kur kolegu tjetër Liapis që zëvendësoi atë, ja kërkova dhe atij dhe mi dorëzoi me një ceremoni madhështore në Akropol. Më ka pasqyruar gjithë shtypi grek në faqet e para. Këtu në vend që ta përshëndesnin filluan të thonin, epo do i jepte greku ato. E njëjta histori ndodh dhe me turistët, ku ja atribuojnë faktit që Maqedonia ka prishur marrëdhëniet me Greqinë. Është faktor pa dyshim, por të mos harrojmë një gjë. Edhe këto ditë media ka njoftuar se mjaft turistë maqedonas donin të kalojnë kufirin për të shkuar në Greqi, nuk është se nuk shkojnë fare, ndjenja e patriotizmit vepron si kudo dhe atje. Por, fati është që ne kemi bërë promocion në Shkup, dhe po j ua them se nuk është sekret ka qenë porosia direkt e Kryeministrit, dhe une kamë shkuar vet dhe në Shkup dhe në Prishtinë. Dyndja i dedikohet dhe faktit që ne jemi faktorë gjithnjë e më tepër sigurie, paqeje, qetësie, po ecim me zhvillimet ekonomike pa dyshim dhe në turizëm. Unë e kisha të parashikuar këtë, ambasadoria e Maqedonisë ka ardhur në zyrën time dhe më tha se kemi kërkesa të jashtëzakonshme për të ardhur në Shqipëri që pa ndodhur përplasja e maqedonasve me grekët.
Të kalojmë tek guidat turistike dhe promovimin e vendeve turistiko-kulturore, a ka shkuar në terren, hotele dhe restorante, kjo guidë me qëllim që të njihen turistët që frenkuentojnë brigjet dhe plazhet shqiptare?
Është web-siti, 500 faqe albanianturizëm.com, ku ai që është i interesuar mund të hyjë dhe të lexojë materialet. E dyta janë dy spotet të cilat mund t i marrin, sepse janë dhënë nëpër televizionet tona, si ai rajonal por dhe ai i CNN-it. E treta kemi Albania Guide botim i ministrisë së Turizmit, “Albania from the air” e Alket Islamit që po përgatit me mbështetjen tonë vëllimin e dytë. Kemi më poshtë 10 turet e Shqipërisë, ku e kemi ndarë Shqipërinë në 10 ture, turet historike me monumentet historike dhe guida të tjera i janë dërguar të gjithë ambasadave tona të akredituara në vendet e tjera të botës. I janë dërguar pjesës më të madhe të agjencive turistike, ministria i ka prodhuar dhe shpërndarë falas, është në detyrën e tyre që tashmë ata t i riprodhojnë, sepse i kemi çuar dhe me shënimin përkatës “E drejta e kopjimit është e lirë”, pra kopirajtin nuk e kemi mbajtur. Pse? Në mënyrë që nëse kemi shpërndarë 10 mijë 20 mijë kopje të shpërndahen 100 mijë, 1 milionë kopje nëse është e mundur ku secili të bëjë detyrën e vet edhe si patriot edhe si shqiptarë, edhe thjesht të riprodhojë. Madje, këtë e kanë marrë përsipër mjaft njerëz. Në këtë sens të gjithë ata që pretendojnë kanë disa burime që mund t i shfrytëzojnë. Kjo vlen dhe për bashkitë dhe qytetet përkatëse, njeriu duhet të veprojë njëçik dhe me sens praktik. Ministria sado e pasur të jetë, ju e dini që të gjitha ato kushtojnë, nuk mund të ketë miliona dollarë për të bërë riprodhime, ajo i krijon i riprodhon, boton një numër të caktuar kopjesh. Pastaj, kur unë të jap të drejtën e riprodhimit ata i bëjnë mirë vetes, vendit. Kjo është filozofia që kemi ndjekur.

Drejtuesit e Festivalit “Butrinti 2000” ju kanë akuzuar përpara disa ditësh se ju nuk keni sponsorizuar këtë eveniment dhe se nuk jeni paraqitur fare në Butrint për të parë shfaqjet?
Do të dëshiroja ta pasqyroja siç është. E para vendimet për të dhënë fonde, që kurse jam unë ministër i merr një bord me njerëz të nderuar, ku përmend, Fatos Kongoli shkrimtarë, Hajk Zaharian kompozitorë, Albert Janku baletmaestër, Parid Teferiçi deputet, poet dhe piktor, Besnik Bisha regjisor, Bujar Asqeriu aktor dhe të tjerë. Të gjithë këta kanë gjykuar që një festival i cili ka tetë vjet ku nga të gjithë qeveritë merr vlera financiare që shkojnë nga 90 deri në 100 milionë lekë, duhet tashmë të jetë bërë i famshëm siç deklarohet. Dhe cilido që kthehet në festival të famshëm, siç është p.sh për filmin Festivali i Kanës, pa dyshim që sponsorët duhet të vrapojnë që të marrin pjesë në këtë festival, sepse fitojnë ata vetë, atëherë ky duhet të mësojë të vetëmbahet. Duhet të vetëmbahet, sepse të gjitha politikat jo vetëm të djathta, por dhe të majta nuk japin rrogën, po e quaj rrogë, çdo vit për organizatorin që t i japë shtetit. Po ju them dhe një kuriozitet që e bën më shumë të vërtetë atë që sapo thashë, ky buxhet që ai ka marrë çdo vit është afërsisht sa buxheti i Teatrit të Operas dhe Baletit. Pra, një njeri kërkon për një aktivitet një javor, kërkon çdo vit nga 90-100 milionë lekë, kjo është një paturpsi e padëgjuar. Dhe këtë vendim e ka marrë bordi dhe jo Ylli Pango. Përse e ka marrë bordi? Për ta mësuar që gradualisht do t ja zvogëloj fondet. Dhe nëse vjet ai mori 90 milionë këtë vit ai mori 60 milionë, dhe prap gënjen, sepse nuk ka marrë gjysmën por 2/3 nga 90 në 60. Për ta zvogëluar gradualisht dhe për ta mësuar që të shikojë dhe mundësi të tjera si kudo në botë, sepse nuk të mban gjithmonë shteti për një aktivitet. Pyetja tjetër që shtrohet, vetëm ky festival ekziston në Shqipëri? Pra, me gjithë fondet e projekteve ky bord do t i japë këtij dhe vetëm këtij? Në një kohë që tek ne duhet të financohen artet figurative, koncertet, ardhja e këngëtarëve të mëdhej, festivalet teatrore po e po, ato operistike, maratona e muzikës së lehtë dhe ajo popullore. Mendoni nga të gjithë këto aktivitete ne do ta kemi ekskluzivisht Butrintin çdo vit dhe meqënëse bordi zvogëloi pak fondin ky njeri që e drejton prej vitesh na heq menjëherë trupat dhe thotë se vetë për katër trupa kisha lekë. Po t ja hyjmë içik atyre llogarive mirë ne, nuk ma ha mendia se nga 60 milinë lekë ky njeri nuk mund të sillte trupat e tjera. Por, ky ka bërë vërtetë një karshillëk me një bord njerëzish të respektuar dhe e ka bërë paturpësisht edhe duke gënjyer, po e them hapur, pasi nuk i është thënë muajin e fundit. Ai ka katër apo pesë muaj që vjen në ministri dhe kërkon me ngulm, ka bërë shantazh për këtë punë, dhe me shumë butësi është sqaruar. Zotëri nuk jepet përjetësisht një shumë kaq e madhe, në një kohë që po e supozojmë që është një festival i famshëm. Atëherë kush është ajo trupë që nuk do të vijë në një festival të famshëm? Këto trupa ku ta gjejnë të vijnë këtu, edhe pa pagesë madje, por ndoshta dhe me sponsorë. Si është e mundur që pas tetë vjetësh ky festival nuk mund të mbahet me këmbët e veta. Përfytyroni që ju çdo ditë të vinit të më kërkonit mua lekë për të botuar një libër tuajin, dhë të më thoni që tetë vjet rrjesht unë të botoj të gjithë vëllimet tuaja?! Pa dyshim që unë do të ndihmoj një herë, dy, si talent i ri po supozojmë, dhe më pas ju, nga shitja e librave tuaj nëse jeni talent që të ketë më tepër duhet të gjeni mundësi të tjera. Sponsorë nga shitja e librit tuaj, më kuptoni se çfarë logjike është kjo? Aq më shumë kur kjo shumë është pothuajse sa buxheti i një institucioni kryesor në vatrat e kulturës.
Pas pak ditësh hap siparin Olimpiada e Pekinit, sa afër sportistëve tanë që do të marrin pjesë në këtë eveniment botëror do të jetë ministria dhe vetë ministri?
Unë kamë uruar sot sportistët, gjithë të mirat dhe duke i thënë se, zor se ndonjëherë do të kenë këto shpërblime që kanë marrë. Po jua marr me radhë, Erkand Qerimaj ka marrë 20 milionë lekë deri tani, Gerti Trasha 10 milionë lekë, Taulant Çerepi 5 milionë, Lindita Kodra 50 milionë, Said Prizreni 60 milionë, pra ju duhet të punoni 10 vjet që t i keni këto para. Trajnerët përkatës, Genc Bakiçi 6 milionë, Gjergj Çela 4.5 milionë, Diana Mata, 15 milionë, Uran Arapi 18 milionë, janë shifra zyrtare. Peshëngritës Ornale Behaj që sapo ju miratua në qeveri 30 milionë, trajneri Hektor Shaqiri ,9 milionë lekë, Ilir Zguri medalja e bronzit 20 milionë lekë, trajneri i tij, 6 milionë. Të gjitha këto janë shuma që mua më vjen keq për deklaratën e një drejtuesi të KOKSH-it që tha se i kemi dhënë nga 200 dollarë për t i patur sportistët për para xhepi dhe për kafe, ku i bie nga 6 dollarë dita. Nuk janë në këtë gjendje sportistët tanë, sepse kanë marrë shuma të tilla që dhe ju si gazetarë dhe pjesa më e madhe që punojnë në Shqipëri nuk i marr as për 10 vjet. E meritojnë? Patjetër, që e meritojnë sepse na nderojnë, nderojnë imazhin e vendit duhet më tepër shtysë, dhe veç këtyre që kanë marrë do të marrin dhe të tjera, nëse kapin rezultate në bazë të vendimit të marrë nga qeveria tashmë, vendimi më favorizues i deritanishëm. Mbani mend që shifrat kanë qenë rreth 1 milionë lekë të vjetra, dikur për sportistët. Me një vendim të qeverisë, por dhe me ligjin që sapo kaluam do t i shtojmë fondin dhe ministrisë me qëllim shtimin dhe më tepër të shpërblimeve për sportistët. Në ceremoninë që zhvilluam me Presidentin kemi dhënë gjithë mbështetjen tonë. Ekipi është vërtetë shumë i mbështetur, unë do të shkoj t i ndjek vetë në Pekin dhe mos harroni një gjë, skuadër me 11 olimpistë ne nuk kemi pasur kurrë, dhe kjo falë talentit dhe sakrificës së tyre. Por, sportisti i mirë sot po nuk e shpërbleve të ikën, një pjesë e mirë e tyre e kanë marrë shpërblimin dhe të tjerë do ta marrin. Dikush përmendi se në botë për një rekord jepen 100 mijë dollarë, mos harroni është rekord botëror, ne nuk kemi ende një të tillë, por kemi një vend të dytë në mundje, i cili ka marrë 60 milionë. A nuk është afër kjo? Pra, shifra 60 milionë që shkon rreth 70 mijë dollarë? Pra, janë shifra vërtetë të niveleve botërore, më vjen keq që disa sportistë ose drejtues nuk i përmendin shqip. Vetëm se çfarë kanë marrë. Ta thotë Said Prizreni, ka marrë 60 milionë lekë, e tha Lindita qitësja, që unë jam në gjendje shumë të mirë, pasi ka marrë 50 milionë lekë. Ta thotë Qerimaj kam marrë 20 milionë lekë, ato që kanë marrë. Dhe nuk janë pak për kushtet që është Shqipëria. Unë në qeveri gjithmonë ngul këmbë që përherë të mbështes sportistët, uroj që ta kenë kështu dhe në të ardhmen, por kam frikë se do ta kujtojnë këtë kohë.

Përpara dy ditësh një talent i ri, 17-vjeçar, Daniel Godeli ka marrë 3 medalje të arta në peshëngritje, cila do të jetë mbështetja, që do t i jepet në vazhdim?
Ne donim që ta çonim në Olimpiadë. E vetmja gjë që na pengonte ishte se ai e kapur rezultatin tani, në një kohë kur ju e dini që regjistrimet për në Pekin janë bërë disa muaj përpara, kalon testin e antidopingut dhe gjithë procedurat me rradhë. Me keqardhje po e them se nuk arritëm ta çonim në Olimpiadë. Madje për këtë është interesuar ditën e enjte vetë Kryeministri, i cili më ka marrë në telefon. Unë pa dyshim që do ta pres atë sapo ai të vijë, do të përpiqem që t i jap gjithë mbështetjen e madhe financiare. Është thjesht i pafat, pasi ta kishte kapur këtë rezultat që më përpara padyshim, që ai do të kishte shkuar në Olimpiadën e Pekinit.
Plarent Shehu
Ky lajm është publikuar: 26/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›