E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg për këdo që ndërhyn në rrjetin elektrik

Autori i Lajmit: red.
Çdo ndërhyrje në sistemin elektrik shqiptar, pritet të konsiderohet vepër penale në Kodin Penal, përkundër deri tani që është thjesht një kundravajtje.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli tha gjatë takimit që u organizua dje me përfaqësues të kompanive të parakualifikuara për privatizimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, se "ne do të fuqizojmë ligjin, i cili dënon si vepër penale ndërhyrjen në sistemin energjetik dhe do të ketë dënim maksimal me burg për të gjithë ata që prekin rrjetin". Sipas tij, ky është një qëndrim që qeveria do ta ndërmerrte pavarësisht nga fakti nëse do të privatizohej ose jo OSSH", deklaroi ministri Ruli. Ministri Ruli u shpreh, se në kodin penal është një nen që parasheh si kundërvajtje penale prekjen e rrjetit, qoftë atij të energjisë, apo atij të ujit.
Privatizimi i OSSH
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli e cilësoi privatizimin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (OSSH), si ndër më strategjikët, por edhe shumë kompleks. Ministri Ruli vuri në dukje se qeveria shqiptare mbetet një partner dhe jo vetëm një shitës. "Në këtë aspekt ndihma dhe asistenca e qeverisë do të jetë strategjike, pasi qeveria ka interes të shohë një sistem energjetik sa më eficient dhe për këtë arsye do t i ofrojë investitorit gjithçka për të realizuar këtë eficiencë", tha ministri Ruli, duke nënvizuar se "është bërë e qartë se qeveria do të vazhdojë politikat e ndërmarra në mbrojtje të kategorive më të varfra dhe më në nevojë të konsumatorëve, praktikë e cila po aplikohet prej mëse dy vjetësh dhe do të vazhdojë të aplikohet edhe në të ardhmen". Kreu i METE-s theksoi ndër të tjera se në planin tonë paraprak, ana teknike merr një rëndësi të madhe dhe qeveria është koshiente që ky është një ndër privatizimet strategjike më komplekse.
Aksionet
"Rëndësia e aspekteve teknike lidhet me faktin se cili do të jetë investitori i zgjedhur dhe sa do të angazhohet ai me një plan konkret investimesh ambicioze, në mënyrë që në krye të një periudhe trevjeçare ne të kemi një sistem të shpërndarjes të modernizuar", tha Ruli. Në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi që 76 përqind e paketës shtetërore të aksioneve të kapitalit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) t u afrohet investitorëve strategjikë. Në garë për privatizimin e OSSH, janë kompanitë EVN, CEZ, ENEL dhe "Stetmarker Energy", të cilat në fillim të muajit shtator, do të paraqesin në ministri ofertat e tyre.
Ky lajm është publikuar: 26/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›