E Diel, 1 Nëntor 2026

Akset kombëtare, të kalueshme – rinisin operacionet e shpërndarjes së ndihmave

14-02-2012 / Gazeta 55

Olldashi: Situata në akset kombëtar është nën kontroll, dimri i këtij viti, më i ashpër se ai i 85-ës


-- Janë kryer fluturime dhe janë dërguar deri më tani 200 pako ushqimore në Pukë dhe Tropojë. Një prej helikopterëve të Forcave të Armatosura në kthim do të marrë edhe katër persona të bllokuar në Malzi, Komuna Fierzë


“Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme”. Kështu u shpreh sot, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, në një konferencë shtypi, duke informuar mbi veprimtarinë e strukturave të angazhuara për përballimin e emergjencës civile të krijuar nga reshjet e dëborës. Sipas tij, organet e shtetit kanë vazhduar gjatë ditës së sotme me operacionet për pastrimin dhe mbajtjen hapur të akseve rrugore kombëtare. Zëdhënësi Konja tha se, prioritete kryesore për përballimin e kësaj emergjence janë mbajtja hapur e akseve rrugore, si dhe zgjidhja e problemeve emergjente të furnizimit me ushqime dhe të emergjencave shëndetësore. Konja vuri në dukje se, “meqenëse sot pati një përmirësim të lehtë të kushteve të motit, rifilluan operacionet e shpërndarjes së ndihmave nga ajri nëpërmjet helikopterëve të Forcave të Armatosura”. Sipas tij, janë kryer fluturime dhe janë dërguar deri më tani 200 pako ushqimore në Pukë dhe Tropojë. Një prej helikopterëve të Forcave të Armatosura në kthim do të marrë edhe katër persona të bllokuar në Malzi, Komuna Fierzë. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit po dërgon ndërkohë në prefekturën Shkodër rreth 500 pako ushqimore. Ndërkohë, një autokolonë e Forcave të Armatosura me 25 mjete është nisur sot për t’u dislokuar në Kukës për të realizuar operacionet e përcaktuara nga shtabi i emergjencës dhe komiteti ndërministror. Sakaq, helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer katër fluturime ditën e sotme për emergjenca shëndetësore, konkretisht në Rrëshen, Vermosh, Pukë dhe Kala e Dodës dhe do të kryejë në vijim edhe një ndërhyrje për transport në Tropojë.


- Situata në akset rrugore kombëtare


- Autostrada Rruga e Kombit, Tiranë-Milot-Rrëshen-Kukës-Morinë, e kalueshme, në disa segmente me vështirësi


Aksi rrugor kombëtar, Tiranë- Shkodër-Hani Hotit, i kalueshëm pa vështirësi


Aksi rrugor kombëtar Tiranë-Shkodër-Muriqan, i kalueshëm


Aksi rrugor kombëtar Tiranë-Milot –Ulëz, është i kalueshëm pavështirësi nga Ulëza-Burrel- Bulqizë-Peshkopi-është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë


Aksi kombëtar Tiranë-Elbasan-Korçë-Kapshticë, i kalueshëm, pa vështirësi.


Olldashi: Situata në akset kombëtar është nën kontroll, dimri i këtij viti, më i ashpër se ai i 85-ës

Ministri i Transportit Sokol Olldashi deklaroi sot nga qarku i Kukësit se, po punohet për të bërë të mundur mbajtjen hapur të akseve nacionale rrugore në veri të vendit, pasi për shkak të erërave të forta dhe orteqeve ndodh bllokimi i tyre. Gjatë inspektimit të punimeve për mbajtjen hapur të autostradës Durrës-Kukës, Olldashi u shpreh se janë mobilizuar mjete të rënda nga ushtria dhe kompani private jo vetëm për të mbajtur të hapura akset nacionale rrugore, por edhe për të bërë të mundur lidhjen e komunave me këto akse. “Sot për shkak edhe të ndalimit të reshjeve të dëborës situata në veri të vendit paraqitet më e mirë. Ndërkohë që gjithë mobilizimi, qoftë i kontraktorëve, kompanive të tjera që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka mobilizuar përkohësisht, apo mjeteve të ushtrisë është për hapjen e sa më shumë akseve rrugore” -deklaroi Oldashi.
Olldashi u shpreh se situata është nën kontroll, ndërsa theksoi se ky është një dimër me reshje të jashtëzakonshme të borës, që llogariten më të mëdha se ato të vitit 1985.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›