E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksi Tiranë-Durrës, zemra e triumfit elektoral të Berishës

21-06-2013 / Gazeta 55

Pjesëmarrja masive në mitingjet e Kamzës, Kavajës dhe Durrësit paralajmëron thellimin e fitores së PD-së në dy qarqet më të rëndësishme. Projekti më i rëndësishëm infrastrukturor i mandatit të ardhshëm, një autostradë që siguron lidhjen e drejtpërdrejtë të Kavajës me Tiranën

Kryeministri: “Fitorja e 23 qershorit, për të ardhmen dhe integrimin. Fitorja do të thotë për Durrësin dyfishim i turizmit”

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Durrës se “fitorja e 23 qershorit është vepër e qytetarëve, mban firmën e tuaj historike si dhe është vullneti për të ndjekur shpirtin perëndimor, për të mbetur gjithmonë të palëkundur në identitetin kombëtar perëndimor”. “Më 23 qershor do të votojmë për të ardhmen dhe integrimin. Fitorja e 23 qershorit do të jetë fitore për mirëqenien e çdo qytetari të Durrësit, rritje e madhe e rrogave, pensioneve pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike. Është një nga objektivat madhorë të fitores sonë”, tha Berisha, duke shtuar se në të ardhmen Durrës do të ketë një prej porteve më modernë. “Me programin e PD ne ia dolëm të përgjysmojmë dallimin në paga mes burrave dhe grave, dhe në katër vitet që vijnë ne përsëri do ta përgjysmojmë dhe ju do merrni rolin që meritoni, në shoqëri dhe në punë”, deklaroi Berisha. Vota juaj më 23 qershor do të jetë votë për marrjen e statusit të vendit kandidat, brenda muajve që vijnë, për thithjen e qindra milionë eurove investime, për punësimin e shqiptarëve, për ndërtimin e infrastrukturës më moderne”, tha kryeministri. Kryeministri u shpreh se, qeveria do të miratojë ligjin për statusin e pensionistit. “Pensionistëve u garantoj se nuk do të ketë pension nën 150 dollarë. Qeveria do të subvencionojë plotësisht energjinë elektrike, do të subvencionojë ilaçet, do të subvencionojë udhëtimin e tyre me autobusë urban dhe inter-urban”. Për fermerët, tha Berisha, “fitorja e PD-së do të jetë 3-fishimi i granteve për fermat e tyre, do të jetë sistem vaditjeje, pagesë me para në dorë e TVSH-së. Do të jetë infrastrukturë moderne e njëjtë me lagjet e qyteteve të Shqipërisë. Do të jetë mbrojtje e prodhimeve të tyre bujqësore dhe blegtorale nga konkurrenca e pandershme ndërkombëtare”. Fitorja e 23 qershorit, vijoi Berisha, “do të jetë për Durrësin dyfishim i turizmit të Durrësit, kapaciteteve të tij, bizneseve të tij”. Kryeministri nënvizoi se “fati im është 44, se kam lindur në ’44-ën. Është numri i fatit, numri i lirisë së shqiptarëve. Lexoni pak për 29, është dështim, në numerologji është dështim, është si Edi Rama, kujdes prej atij numri nuk sjell fat, s’ka mbarësi, ka dështim”. Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Durrësit, socialistë e të paparti “bashkohuni me PD për punësimin, zhvillimin, mirëqenien”.
Autostradë për lidhjen e Kavajës me Tiranën/Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Kavajë se, 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e lidhjes direkte të Kavajës me Tiranën, me autostradë. Kryeministri i shprehu qytetarëve të Kavajës mirënjohjen për sakrificën e tyre dhe shprehu premtimin më solemn se, fitorja e 23 qershorit do të jetë fitorja e grave dhe burrave, djemve dhe vajzave të Kavajës. “Me fitoren e 23 qershorit do të ecim të vendosur drejt niveleve më të larta të mirëqenies, në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë. Fitorja e 23 qershorit, do të jetë fitorja e punësimit masiv të qytetarëve të Kavajës dhe mbarë Shqipërisë”. Kjo fitore, tha Berisha, “hap 250 vende pune, për punësimin e qytetarëve. Fitore në 23 qershor për dyfishimin e turizmit dhe shfrytëzimin e të gjitha potencialeve turistike. Ndërtimin e resorteve të mëdha që do ta bëjnë Kavajën turistike të famshme në Europë dhe botë”. “4 vitet që vijnë, vijoi kreu i qeverisë, do të jenë vite ku fermerët e Kavajës do të njohin mbështetjen më të madhe, trefishimin e granteve, pensionin minimal 150 dollarë, pagesën me para në dorë të TVSH-së për çdo gjë që përdorin për prodhimin”. “4 vitet që vijnë, u shpreh Berisha, do të jenë vitet e integrimit të Shqipërisë, vitet e statusit dhe hapjes së negociatave për vend anëtar në BE. Do të jenë vite kur Shqipëri dhe Kavaja do të kenë shumëfishim të investimeve”. Kryeministri Berisha, u bëri thirrje qytetarëve të Kavajës që “këto dy ditë të punojmë çdo minutë për të bindur çdo qytetar të këtij qyteti të mrekullueshëm, çdo fermer të këtij rrethi të mrekullueshëm, të bashkojmë votën tonë në 23 qershor për Kavajën e zhvilluar, Kavajën krenare që ecën e sigurt drejt niveleve më të larta të zhvillimit, drejt mirëqenies, punësimit. Për Kavajën fitimtare drejt BE”- deklaroi kryeministri Berisha në mitingun madhështor në qytetin e Kavajës. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›