E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident i rëndë në Durrës, mjeti ndahet më dysh, vdesin dy të rinj, plagoset një tjetër

DURRËS- Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Durrës. Një mjet është aksidentuar në vendin e quajtur Xhafzotaj në rrugën nacionale Shijak-Durrës, ndërsa mësohet se kanë humbur jetën dy persona dhe një tjetër është plagosur. 

Bëhet me dije se mjeti tip ‘Benz’, me ngjyrë të zezë dhe me targë DR 6165 D fillimisht është përplasur me bordurën e rrugës dhe më pas është ndarë më dysh, si pasojë e shpejtësisë së madhe me të cilën udhëtonte. 

Viktimat dhe i plagosuri janë të rinj dhe banorë të zonës së Shijakut. I plagosuri është identifikuar si Xhuljan Çyrbja dhe ka qënë drejtues i mjetit, ndërsa viktimat pasagjerë në mjet. Mësohet se viktimat dhe i plagosuri janë kushërinj me njëri-tjetrin. Identiteti i viktimave ende nuk është bërë i ditur, por paraprakisht bëhet me dije se edhe ata kanë mbiemrin Çyrbja.

Gjendja e drejtuesit të mjetit raportohet se është e rëndë, ndërsa aktualisht ai është shtruar në spitalin e Durrësit.

Forca të shumta policie, ndodhen në vendngjarje dhe po hetojnë për shkaqet e aksidentit. Fillimisht u dyshua se mjeti mund të kishte shpërthyer, por më pas policia saktësoi se mjeti ishte ndarë në dysh nga përplasja e fuqishme.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›