Aksident i rëndë trafiku me viktima
Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në rrugën Klinë - Gjakovë, përkatësisht në fshatin Gremnik.
Zeqir Kelmendi, zyrtar për informim pranë policisë rajonale në Pejë, ka bërë të ditur se
në këtë aksident trafiku jetën kanë humbur ngasësi i veturës dhe dy bashkudhëtarë, ndërsa bashkudhëtari tjetër është i lënduar, që të gjithë nga fshati Vulljakë i Klinës.
“Supozohet se aksidenti është shkaktuar gjersa ngasësi i automjetit “Rover” me targa të Kosovës ishte duke e ngasur automjetin në aksin rrugor Klinë-Gjakovë dhe kur arrin në fshatin Germnik, për shkak të rrethanave ende të panjohura humb kontrollin mbi automjetin e tij dhe si pasojë del në anën e djathtë jashtë rrugës dhe përplaset për një shtyllë elektrike të betonit”, ka thënë Kelmendi.
Si pasojë e aksidentit jetën kanë humbur ngasësi M.B. 37-vjeç, dhe dy bashkudhëtarët E. B. 37-vjeç dhe F. B. 37 vjeç, ndërsa lëndime trupore të rënda ka pësuar pasagjeri i tretë R. B. 41-vjeçar, i cili është dërguar në Spitalin e Pejës për tretman.
Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i Qarkut, me urdhër të të cilit trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në morgun e Prishtinës.