AKR, në heshtje
Zyrtarë të Aleancës Kosova e Re (AKR) gjatë ditës së diel nuk janë deklaruar lidhur me hapat e mëtejmë që mund të marrë kjo parti, pas kërcënimeve për braktisje të koalicionit qeverisës.
Kjo parti dje përmes një komunikate drejtuar medieve kishte kërcënuar me shkëputjen e koalicionit qeverisës si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend.
Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, unanimisht janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes së menjëhershme të koalicionit qeverisës.
Por, të dielën zyrtarë të lartë të kësaj partie, të kontaktuar nga Kosovapress, nuk e kanë “parë të rrugës” që të hapin telefonin për t’u prononcuar lidhur me këtë çështje.
Partia Demokratike e Kosovës dje nuk ka dashur të komentojë kërcënimet e partnerit të saj më të vogël të koalicionit, me arsyetimin se nuk kanë njohuri për veprimet e AKR-së.
Ndërkohë, që vazhdon lëkundja e koalicionit qeverisës, për nesër është paralajmëruar dorëzimi i detyrës nga presidenti i deritanishëm Behgjet Pacolli tek ushtruesi i detyrës Jakup Krasniqi, ceremoni kjo e paraparë për ditën e shtunë, por që ishte shtyrë për shkaqe, siç ishte thënë, objektive.
Kërcënimi i AKR-së për braktisje të koalicionit ka ardhur pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit zgjedhja e Behgjet Pacollit për president ka qenë jo kushtetuese.