I mbledh Presidenti

Isa Mustafa ka vendosur të shpërndajë “presionin” e ndërkombëtarëve edhe në organin më të lartë të Partisë, sa i përket qëndrimit të deputetëve të LDK’së në Parlament, kur të votohet për Presidentin.
Në këtë mënyrë, Lideri i LDK’së ka vendosur të thërrasë Këshillin e Përgjithshëm të dielën dhe të kërkojë që edhe ata të jenë pjesë e vendimit të Kryesisë së partisë lidhur me krizën rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, i cili ka mohuar mundësinë e ndryshimit të qëndrimit ndaj situatës së re.
“Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së do të merren qëndrime se çka do të bëhet më tutje me rastet e fundit, me largimin e Pacollit nga posti i Presidentit. Në mbledhjen që do të mbahet të dielën, Kryesia bashkë me Këshillin e Përgjithshëm do t’i marrin qëndrimet e mëtutjeshme”, ka thënë Rugova për Express, të shtunën.
LDK’ja kishte bojkotuar seancën e Kuvendit, në të cilën Presidenti u zgjodh në mënyrë jokushtetuese, derisa mospraninë e deputetëve të opozitës, Gjykata e kishte interpretuar si cenim të Kushtetutës.
Në aktgjykim, Gjykata ua kishte përkujtuar deputetëve opozitarë nenet dhe rregullat, sipas të cilave ata duhet të qëndrojnë në seancë kur të votohet Presidenti. Por, nuk i kishte urdhëruar të rrinë domosdoshmërisht në seancë.
Pas këtij interpretimi, kishte reaguar edhe Ambasada e SHBA’së dhe përfaqësia e BE’së, duke kërkuar nga opozita të mos e braktisin seancën e Kuvendit, kur të votohet Presidenti.
Ky reagim i ndërkombëtarëve nga Lideri i LDK’së është parë si presion ndaj opozitës dhe përkrahje për koalicionin qeveritar.
Por, në LDK thonë se qëndrimi nuk do të ndryshohet as të dielën, kur do të përsërisin kërkesën për një marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e Shefit të Shtetit.
“Nga ky qëndrim ne nuk do të luhatemi, pavarësisht presioneve që vijnë nga të gjitha anët, për një arsye të vetme: këto janë qëndrime parimore, demokratike dhe kushtetuese”, ka thënë nënkryetari i LDK’së.
Rugova, njëkohësisht Kryetar i Komunës së Istogut, ka hedhur poshtë mundësinë që Këshilli i Përgjithshëm të marrë vendim për bojkotimin e tërësishëm të Kuvendit deri në zgjedhjet e reja.
“Jo, nuk është diskutuar asnjëherë mundësia për të bojkotuar Parlamentin. Ne mbetemi prapa qëndrimit se zgjedhjet kanë prodhuar institucione jolegjitime. Nuk jemi parti që dalim sokaqeve dhe rrugëve me protesta”, ka thënë ai.
Zgjedhjet nuk përsëriten
Haki Rugova ka mohuar mundësinë që të merret vendim për përsëritjen e zgjedhjeve brendapartiake në tërësi.
“Asnjë arsye nuk ka për mbajtjen e zgjedhjeve brenda LDK’së. Ne kemi pasur një proces zgjedhor shumë demokratik, për dallim prej partive të tjera”, ka thënë Rugova.
Sipas tij, askush nga LDK’ja nuk është duke biseduar për rikthimin e ish-zyrtarëve të lartë në parti.
Burime të Expressit kanë bërë të ditur se një pjesë e LDK’së, e pakënaqur me veprimet e Isa Mustafës, do të kërkojë të dielën mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme partiake.
“Në këtë mënyrë që t’iu krijohej mundësia e rikthimit në LDK Ukë Rugovës, Nexhat Dacit e Bujar Bukoshit”, ka thënë burimi nga LDK’ja.
LDK’ja i ka mbajtur zgjedhjet partiake vitin e kaluar, derisa ditë më parë është vendosur për të përsëritur zgjedhjet në katër komuna - Pejë, Gjakovë, Obiliq dhe Shtime.
Dega e Gjakovës dhe ajo e Obiliqit nuk pajtohen me vendimin e Kryesisë së LDK’së.