Aksident në aksin Fushë-Krujë-Tiranë, vdes 9-vjeçari
Edhe pas masave shtrënguese që ka marrë policia pothuajse në të gjithë vendin, aksidentet rrugore me pasojë vdekjen nuk po shmangen. Një fëmijë 9-vjeçar ka humbur jetën rreth orës 19:30 të së shtunës në aksin rrugor Fushë-Krujë-Tiranë. Një furgon pasagjerësh që udhëtonte me drejtim për në kryeqytet, ka përplasur një fëmijë në tokë, në afërsi të fshatit Larushk. Policia, e cila shkoi në vendin e ngjarjes, pasi ka kryer ekspertizën, tha se furgoni i udhëtarëve, i drejtuar nga shtetasi Julian Qarushi, ishte me shpejtësi tej normave të lejuara. Sipas policisë ky ishte dhe shkaku i aksidentit. Në këtë rast, masa e dënimit për autorin është gjobë deri në një vit burg, megjithëse ka aksidentuar për vdekje një fëmijë 9-vjeçar. Megjithatë çështja mund të mbyllet edhe në polici. Sipas banorëve të zonës ku ndodhi aksidenti i së shtunës, 9-vjeçari Gani Katroshi, i cili humbi jetën, ishte kthyer nga Italia vetëm pak ditë më parë së bashku me prindërit për të kaluar pushimet te të afërmit, në fshatin Larushk të Krujës. Policia lokale mjaftohet vetëm me shoqërimin e autorit dhe marrjen e dëshmive, ku është vërtetuar plotësisht se Julian Qarushi është fajtori, pasi po drejtonte automjetin me një shpejtësi të madhe, përtej normave të lejuara në rrugë. Sot pritet që policia të referojë dosjen në Prokurorinë e Krujës, e cila do ta shqyrtojë rastin në fillim të muajit shtator, pasi organi i akuzës është me pushime verore. Policia thotë se do të ngrejë akuzë ndaj drejtuesit të mjetit për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe hetimi ndaj tij mund të kryhet në gjendje të lirë.