E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Albtelekom", tenderi për konsulentin më 10 gusht

Qeveria rinis nga e para procedurën e tenderit për të gjetur konsulentin e huaj, i cili do të bëjë të mundur privatizimin e paketës shtetërore në "Albtelekom". Procedura e parë nisi më 6 prill të këtij viti, ku interes për të qenë konsulent të procesit kishin shfaqur gjashtë shoqëri. Bëhet fjalë për shitjen e 16 për qind të aksioneve të mbetura në pronësi të shtetit shqiptar, nga ku parashikohet një e ardhur e konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Tenderi do të zhvillohet më 10 gusht, kurse oferta limit për shoqërinë fituese do të jetë rreth 300 mijë dollarë (rreth 28 milionë lekë). Pas shpalljes së fituesit, konsulentit do t‘i vihen katër muaj kohë për të bërë të mundur realizmin e shitjes së aksioneve. Situata zgjedhore dhe premtimi i Kryeministrit për të mos privatizuar asnjë aset shtetëror, të paktën dy muaj para votimeve, shtynë për një kohë tjetër procedurat për gjetjen e konsulentit.

Sipas Ministrisë së Financave, mendohet të sigurohen nga privatizimet rreth 250 milionë dollarë, por pa identifikuar burimin. "Albtelekom" mbulon 90 për qind të tregut, kurse pjesa e mbetur zotërohet nga operatorët ruralë. Në këtë pikë, qeveria synon të fusë në arkën e shtetit të ardhura të konsiderueshme, aq të nevojshme në këto kohë krize. Konsulenti i huaj duhet të ketë burime financiare të nevojshme për realizimin e objektit të prokurimit dhe mban përsipër çdo rrezik që mund të ndodhë siç parashikohet apo nënkuptohet në kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës. "Albtelekomit" i është dhënë licenca e tretë celulare, ku shoqëria zotëron 100% të aksioneve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›