Aksident në Krrabë, del nga rruga autobusi - edhe njëherë testohet efikasiteti i operacionit të emergjencës

Prej aksidentit të ndodhur në vendin e quajtur “zona e qershive” janë regjistruar 8 të plagosur, që të gjithë, jashtë rrezikut për jetën. Në pak minuta, në vendngjarje mbërrijnë 3 helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë, ekipet e mjekëve si dhe forca të shumta policie. Dyshimet bien tek një parakalim i gabuar, por sot pritet edhe ekspertiza përfundimtare e Policisë së Shtetit
Autobusi me targa të Librazhdit doli nga rruga, 3 km pa hyrë në qytetin e Elbasanit, në zbritje të Qafë Kërrabës. Një aksident i frikshëm për nga rrethanat, por që fatmirësisht rezulton pa kosto të rënda njerëzore. Mobilizimi i menjëhershëm i ekipit të mjekëve, të ndihmuar edhe nga forcat e policisë, bënë të mundur dhënien e ndihmës së parë për 29 të plagosurit dhe transportimin e menjëhershëm të tyre drejt Spitalit të Elbasanit. Drejt vendngjarjes mbërritën menjëherë 3 helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë, forca të shumta policie dhe autoambulanca. 8 ishin të lënduarit që rezultuan me probleme serioze dhe u mbajtën nën kontrollin e rreptë të mjekëve, por që asnjë prej tyre nuk është në rrezik jete
Flet dëshmitari: Një fuoristradë me targa TR na preu rrugën
Një aksident automobilistik është regjistruar dje në orën 16:15 në aksin Tiranë-Elbasan, në Qafë Kërrabë, 3 km pa hyrë në qytetin e Elbasanit, ku një autobus me targa LB 3156 A, me drejtues shtetasin Mit’hat Biçaku, ka dalë nga rruga duke devijuar në rreth 10 metra pjerrësi në vendin e quajtur “Qershia”. Në autobus kanë qenë duke udhëtuar rreth 30 të rinj, të gjithë nga qyteti i Librazhdit, të cilët po ktheheshin pas një aktiviteti politik të zhvilluar mesditën e djeshme në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp, Policia konfirmoi se janë plagosur vetëm 8 prej pasagjerëve, ndërsa një prej tyre, shtetasi Artan Kojku ka thyerje të krahut. Ka qenë 29 numri i të plagosurve nga aksidenti, të cilët janë transportuar menjëherë drejt spitalit të Elbasanit, ndërsa vetëm një prej tyre ndodhet në reanimacion, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas njoftimit të aksidentit, një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë është nisur drejt vendit të ngjarjes për t’iu ardhur në ndihmë të aksidentuarve, ndërsa Spitali Ushtarak po ashtu është në gatishmëri të lartë për të pritur të plagosurit. Në vendngjarje mbërriti menjëherë drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli i cili konfirmoi se grupi i ekspertëve po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe zv/drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili konfirmoi në një lidhje telefonike se nga aksidenti ka disa të plagosur, por pa rrezik për jetën. Drejtori i Spitalit të Elbasanit, Pjerin Xhuvani tha se 22 të plagosur mbërritën në këtë spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa 6 prej tyre janë paraqitur me fraktura më të rënda. “Numri i personave të plagosurve është 22, ndërsa 6 prej tyre janë në gjendje më të rënd. Të plagosurit do kurohen në spitalin e Elbasanit. Kanë ardhur helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, por gjendja e të plagosurve nuk është e rëndë dhe ndihma shëndetësore po u jepet në spitalin rajonal të Elbasanit”- tha Xhuvani. Policia mbajti të lirë aksin rrugor, pavarësisht trafikut, për të bërë të mundur transportimin e të plagosurve me autoambulanca. Të plagosurve iu dha ndihma e menjëhershme, pas mbërritjes në vendngjarje të forcave të policisë dhe ekipit të mjekëve nga spitali i Elbasanit. Vlen të theksohet se kjo linjë (Tiranë-Elbasan), është e ndaluar për udhëtimin e mjeteve të rënda, konkretisht për autobusët. Gjithsesi, do jetë ekspertiza e Policisë ajo që do të konfirmojë nëse automjeti në fjalë i përket mjeteve të tonazhit të rëndë që ndalohet të qarkullojë në segmentin e vështirë të Qafë Kërrabës.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili: Të plagosurit, pa rrezik për jetën
“Nga aksidenti që ndodhi dje në orët e pasdites në Qafën e Kërrabës nuk ka viktima dhe ky është lajmi më i rëndësishëm”. Kështu u shpreh dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili në deklaratën e tij për mediat, pas aksidentit në Qafë Kërrabë. Ministri Vasili theksoi se nga aksidenti janë plagosur 9 persona, 8 prej të cilëve me plagë të lehta dhe një më rëndë, për shkak të disa frakturave. “Të plagosurit po marrin mjekimin në spitalin e Elbasanit me disa mjekë reanimatorë dhe kirurgë” - tha ai. Ndërsa shtoi se, “shkalla e plagosjes, është e lehtë dhe të plagosurit nuk kanë asnjë rrezik për jetën”. “Kemi këshilluar mbajtjen nën mbikëqyrje edhe për disa orë të tjera”, tha z.Vasili, ndërsa shtoi se “rasti tjetër po trajtohet nën një kujdes më të specializuar ndaj edhe helikopterët janë atje në gatishmëri, në mënyrë që të veprojmë sipas kërkesave. Operacioni u ezaurua në rreth 30 minuta dhe parametrat janë pozitive”- tha midis të tjerash, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia: Të plagosurit morën ndihmën e parë në kohë rekord
Zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia u shpreh lidhur me aksidentin në Qafë Kërrabë se forcat e shëndetësisë mbërritën në vendngjarje menjëherë pas aksidentit. Ai tha se gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetën. “Nuk ka të plagosur në gjendje të rëndë. Reagimi forcave të policisë dhe ekipeve të mjekëve ishte në kohë reale. Nga ky aksident ka 8 të lënduar, vetëm njëri prej tyre është në gjendje të rëndë me thyerje të krahut, por pa rrezik për jetën. Sigurisht që ka tronditje psikologjike, pasi aksidenti është vërtetë i frikshëm. Forcat e shëndetësisë mbërritën në vendngjarje në pak minuta dhe bënë gjithçka të mundur, për shmangien e çdo rreziku jetëve njerëzore”- tha Spahia.
Deputeti i PD, Ardian Turku: Evakuimi i të plagosurve u krye shpejt
Nënkryetari i Kuvendit dhe njëherësh deputeti i Qarkut të Elbasanit Ardian Turku theksoi se, nuk ka viktima nga aksidenti, ndërsa evakuimi i të plagosurve është kryer shpejt. “Nga aksidenti ka të lënduar, por gjendja e tyre është pa rrezik dhe ndodhen nën kontrollin e rreptë të mjekëve”.
Drejtori i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli: “Ekspertiza, pas dëshmisë së shoferit”
“Në vendngjarje janë ekspertët e policisë rrugore dhe kanë thërritur si dëshmitarë shoferin e automjetit. Me të marrë të gjitha të dhënat nga drejtuesi i mjetit, do t’i bëjmë publike. Rruga e Kërrabës kufizon disa nga automjetet e transportit publik, por kjo varet nga kapaciteti mbajtës dhe kjo do bëhet e ditur nga grupi i ekspertëve. Jemi me fat që nga ky aksident rrugor, nuk kemi viktima” - tha dje drejtori i përgjithshëm i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli.
Drejtori i Spitalit të Elbasanit, Pjerin Xhuvani: Nuk ka të lënduar në rrezik për jetën
“Numri i personave të plagosurve është 22, ndërsa 6 prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Të plagosurit do kurohen në spitalin e Elbasanit. Kanë ardhur helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, por gjendja e të plagosurve nuk është e rëndë dhe ndihma shëndetësore po u jepet në spitalin rajonal të Elbasanit”
Policia: Aksidenti, 3 km pa hyrë në qytetin e Elbasanit
“Rreth orës 16.50’ të ditës së sotme është marrë informacioni se në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, rreth 3 km pa hyrë në qytetin Elbasan, në vendin e quajtur Qershitë, autobusi me targë Lb 3156 A, drejtuar nga shtetasi Mit’hat Biçaku, ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 10 metër poshtë. Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Elbasan për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur 8 nga pasagjerët e këtij autobusi. Të dëmtuarit në këtë aksident janë transportuar drejt ambienteve spitalore dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën, vetëm dy prej tyre kanë pësuar dëmtime më të rënda, por pa rrezik për jetën. Nga strukturat e Policisë së Shtetit të pranishme në vendngjarje aktualisht po punohet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.
Dëshmitari: Shkak i aksidentit, një fuoristradë me targa të Tiranës/Sipas një dëshmitari në vendngjarje, një fuoristradë tentoi të parakalojë autobusi, i cili shmangu përplasjen dhe devijoi nga rruga, ndërkohë që theksoi se nga aksidenti, nuk rezultuan të lënduar në rrezik për jetën. “Shoferi i autobusit shmangu përplasjen me automjetin tjetër, por pa shmangur daljen nga rruga. Një automjet fuoristradë ka tentuar të parakalojë autobusin në një segment mjaft të vështirë”- tha dëshmitari në vendngjarje.
Prefekti i qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi/Gjendja e të plagosurve është e stabilizuar. Dy prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë, por pa rrezik jete. Të plagosurve të tjerë iu bënë ekzaminimet e nevojshme dhe disa prej tyre kanë lënë spitalin tashmë. Situata është jashtë rrezikut, sigurisht që ka tronditje psikologjike. Sipas dëshmive, shkak i aksidentit është bërë një parakalim i gabuar i një automjeti tjetër”.