E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama nxjerr Gjinushin, s’del dot përballë Nanos

17-06-2012 / Gazeta 55

Lidershipi i PS drejton një oborr personal besnikësh, por s’përballon dot beteja politike. Edhe lëvizjen e Nanos për kohezion në PS ai s’e klasifikon dot, por detyron Skënder Gjinushin të dalë ta sulmojë. Me hijen e Nanos dhe me frikën se LSI do ta lërë sërish në opozitë në 2013, tek opozita, aksioni kryesor politik duket se mbetet garantimi i mbretërimit privat në PS

Java që po mbyllet s’ka qenë ndër më të volitshmet për kryetarin në detyrë të PS-së, Edi Rama. Në 5 ditë janë regjistruar dy dështime flagrante, të cilat vënë në dyshim vazhdimësinë e karrierës së tij politike. Të hënën kur votohej Presidenti, përpos paaftësisë për të qenë pjesë e garës, Rama u struk poshtë skenës së sapo ngritur të Kongresit të FRESSH-it nga ku edhe deklaroi se s’ka qenë i interesuar për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Këtu spikati edhe bllofi më i madh i tij, pasi domethënia është që, PS vazhdon të lëngojë problemet e brendshme, mungesën e vizionit për të qenë konkurrente me shumicën parlamentare si dhe paaftësia për të prodhuar alternativa politike në dobi të opinionit publik. Njëkohësisht me “dështimin për Presidentin”, në orbitën politike të PS u shfaq menjëherë Lëvizja e Fatos Nanos, për të parandaluar humbjet e mëtejshme të Partisë Socialiste në garat e saj parlamentare me mazhorancën. I ndodhur në këto kushte vërtetë rriskuese dhe që afrojnë pensionin politik të lidershipit socialist, Rama po mbrohet me “patericat” e opozitës. Dy ditë më parë, Paskal Milo tentoi të qetësonte “luftën” Rama-Nano, duke deklaruar se kreu aktual i PS-së kishte propozuar kandidaturën e tij, për President të vendit. Deklaratë kjo që u shua brenda ditës, pasi s’ishte e vështirë të kuptohej se, nxitimi për të nxjerrë Milon “kandidat të djegur nga mazhoranca”, kishte domethënien e angazhimit të opozitës dhe veçanërisht Partisë Socialiste. Por, në të vërtetë kjo është pjesë e tymnajës socialiste të Edi Ramës. Jo më larg se dje, ishte Skënder Gjinushi ai që mori në mbrojtje Edi Ramën, ndërsa lumi i akuzave u hodh drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe veçanërisht Ilir Metës, për mungesë sinqeriteti. “Procesi presidencial tregoi se opozita nuk duhet t’i besojë më LSI”- tha Gjinushi. Për Skënder Gjinushin, kreun e PSD-së, forca politike e drejtuar nga Ilir Meta bëri pazarin politik të radhës me mazhorancën, duke i treguar sërish opozitës se besimi i vetëm te LSI është pabesia e saj. “LSI përdori opozitën për të bërë presion mbi Berishën, jo për të arritur konsensus por për të arritur në një pazar. I vetmi besim që mund të kesh te LSI është që është e pabesë. Nëse ka ende të matë që i mbanin shpresat tek ai, tek ajo forcë që i ka shitur sistematikisht nga 2005, sigurisht që kjo është vetëm një alibi për LSI”, tha Skënder Gjinushi, Kreu i PSD. Zgjedhja e presidentit nga radhët e mazhorancës që u pasua me rishfaqjen e Fatos Nanos në lëvizjen për tu rikthyer në PS, për Gjinushin ka një nevojë reale për një bashkues të së majtës. Por a do luajë Fatos Nano këtë rol, Gjinushi thotë: “Tani, patjetër që ka nevojë për një bashkim të forcave që janë jashtë PS-je, të majta. Sepse PS nën presione të brendshme apo të jashtme nuk ka luajtur siç duhet rolin e vet opozitar. Patjetër që PSD është në favor të kësaj. Pastaj, për zhvillimet brenda PS mendoj që këto që thoni janë zhvillime brenda PS, janë tentativa për ekuilibra të brendshme, për rregullime raportesh të brendshme kjo është një problem i PS-së”. Duke e konsideruar një lëvizje të brendshme në PS, Gjinushi si në rrallë raste refuzon të përgjigjet, për pyetjen se cilat janë mundësitë e Nanos për bashkimin e së majtës. “Unë nuk shtoj se çfarë thashë, uroj të ketë ndikime pozitive. Pra, PS si parti në përcaktimin e aleatëve të vërtetë dhe jo në aleanca pazaresh si Gjiri i Lalëzit”, tha ai. Por ajo që Gjinushi thekson si nevojë është ajo që ai e quan me humor “shkundja” e Partisë Socialiste, gjithnjë duke mbajtur një qëndrim kokëfortë ndaj Ilir Metës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe duke i treguar vendin Lëvizjeve të Fatos Nanos, për rimarrjen e PS-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›