E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident ne Kukes-Morine plagoset rende femija 9 vjec

Një aksident automobilistik ka ndodhur mesditën e së shtunës në autostradën Kukës-Morinë, në vendin e quajtur fshati “Breg Lumë”.  Një shtetas kosovar ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij, në drejtim të Kukësit, kur papritur i ka prerë rrugën një i mitur i cili është identifikuar me inicialet L.K . rreth 9 vjeç. Sipas policisë shkak për këtë aksident është bërë prerja e rrugës në mes nga ana e të miturit por nuk përjashtohet edhe shpejtësia e madhe me të cilën ka qenë duke udhëtuar automjeti. Ky i fundit drejtohej nga një kosovar i cili është shoqëruar në komisariatin e Kukësit. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e të miturit,të seksit mashkull, është shumë e rënduar çka ka detyruar mjekët dhe drejtuesit e spitalit që të njoftojnë Ministrinë e Shëndetësisë për të sjellë drejt Kukësit një helikopter në mënyrë që fëmija të dërgohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës për mjekim të specializuar. Në vendin ku ka ndodhur aksidenti mungojnë tërësisht nënkalimet apo mbikalimet e autostradës çka detyron banorët e fshatrave që të hyjnë apo dalin nga fshati duke ecur mes përmes autostradës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›