Aksident në Prrenjas, humb jetën 39-vjeçari
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë në vendin e quajtur Fushë-Rrajcë.
Në aksident janë përfshirë një kamion me targa të Korçës 1416 B që drejtohej nga shtetasi Dritan Dine 35 vjeç dhe automjeti tjetër me targa gjermane B 984 N që drejtohej nga shtetasi Gjergji Kanani 39 vjeç nga Elbasani. Nga përplasja e fortë e mjeteve ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i autoveturës Gjergji Kanani.
Në vendin e ngjarjes u ngrit menjëherë një grup hetimor për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe sipas hetimeve paraprake shkak është bërë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilin udhëtonte autovetura e cila në momentin e aksidentit ecte në krah të kundër të rrugës. Policia e Elbasanit shoqëroi drejtuesin e kamionit Dritan Dine deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.