Shkodër, ‘burg pa afat’ babait që vrau djalin

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për babanë që qëlloi për vdekje djalin e tij, ngjarje kjo e ndodhur pak ditë më parë në fshatin Sterbeq të Malësisë së Madhe.
Gjate seancës gjyqësore autori i vrasjes ka rrëfyer dhe shkaqet e krimit ku e gjitëe ngjarja ka marrë fill pas konfliktit për një bateri telefoni kjo e provokuar dhe nga gjendja e alkoolizuar e autorit të krimit.
Seanca gjyqësore është zhvilluar pa praninë e medias por burime nga gjykata bëjnë të ditur se autori i ngjarjes shtetasi Marash Lula ka rrëfyer shkakun dhe mënyrën se si e ka vrarë djalin e tij.
Një ditë pasi vrau të birin 28-vjeçar, Marash Lula ka shprehur pendesë dhe është justifikuar me fjalinë "isha i dehur". Burime nga Policia e Shkodrës treguan për "Ora News" detaje të rrëfimit të babait vrasës. "Nuk doja ta vrisja. Nuk e kam kontrolluar veten, kam qenë në gjendje të dehur. Nuk di se çfarë kam bërë, më mirë të kisha vrarë edhe veten", mësohet të ketë thënë Marashi, i cili i mori jetën djalit të tij Edmondit, duke e qëlluar me armë gjahu. Pavarësisht pendesës, tashmë mbi Marash Lulen rëndon akuza e vrasjes me dashje. Sipas policisë, përveç pendesës së shprehur, autori i ngjarjes nuk flet dhe nuk jep shumë detaje në lidhje me shkaqet e sherrit në familje. Sipas hetuesve që po merren me këtë ngjarje, burri është duke kaluar një gjendje të rëndë psikologjike pas krimit.