Sherr për Facebookun, 7 të rinj përleshjen në Përmet

Facebooku vazhdon të mbetet mollë sherri midis të rinjve. Një ofendim i kryer në këtë faqe interneti midis dy të rinjve në komunen Suke të Përmetit ka mjaftuar që sherri të degjenerojë deri në përdorim e grushtave midis të rinjve. Specialistët e parandalimit të krimit të lajmëruar nga banorët janë informuar se dy të rinjtë kanë thirrur për ndihmë edhe shokët e tyre çka ka bërë që forcat e policisë të nisen menjëherë drejt vendgjarjes ku kanë hasur 7 persona të cilët po rriheshin njëri me tjetrin me mjete të forta, shkopinj druri, leva hekuri madje edhe përdorimin e sqepareve. Sipas burimeve nga drejtoria e policisë së qarkut Gjirokastër mësohet se shtetasi Ervis Isufaj 25 vjeç ka thyer me mjete të forta automjetin tip wolsvagen i cili është në pronësi të shtetasit me inicialet S.l të cilin e akuzonte se e kishte fyer në facebook, ndërkohë që i ka grabitur atij edhe laptopin të cilin e mbante në automjet. Me ndërhyrjen e Policisë përleshja midis tyre është neutralizuar dhe të 7 personat e përfshirë në këtë konflikt janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Përmet, për veprime të mëtejshme, ku disa prej tyre janë shoqëruar edhe në Spitalin e Qytetit Përmet për të marrë ndihmën mjeksore për plagët e lehta të marra gjatë përleshjes midis tyre.
Si pasojë e përleshjes fizike dhe sende të forta kanë marrë plagë të lehta në trup dhe në kokë 3 të rinj, palë e grupit të shtetasi Ervis Isufaj, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore janë shoqëruar përsëri në ambjentet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.
Në drejtim të Përmetit janë nisur edhe Specialistët e Seksionit të Krimeve Kundër Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore dhe proceduriale dhe në përfundim të veprimeve kanë bërë edhe arrestimin e shtetasit Ervis Isufaj, për veprat penale të "Shkatërrimit të pronës ", si dhe të "Vjedhjes".
Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për dy shtetas ,S.L dhe G.M, pjesë e grupit kundërshtar të shtetasit të arrestuar, të cilët me mjete të forta u kanë shkaktuar plagë të lehta tre shtetasëve pjesë e grupit të shtetasit Ervis Isufaj.