Aksident në autostradën Kukës-Morinë, 5 të plagosur

GABIMI/ Adem Noka, drejtuesi i fuoristradës dyshohet të jetë futur në autostradë në rrugën e gabuar
KUKËS - Një aksident automobilistik në autostradën Kukës-Morinë ka pasur një bilanc prej pesë të plagosurish, ndërkohë që njëri prej tyre në gjendje të rëndë është transferuar me helikopter për në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur mesditen e së enjtes kur kamioni me targë KU 2972 A i drejtuar nga Enver Toçilla nga fshati Novosej i rrethit të Kukësit është përplasur me automjetin tip "Nissan" me targa të huaja IN56KMG të drejtuar nga shtetasi Adem Selim Noka nga fshati Novosej, por banues në Tiranë.
Aksidenti ka ndodhur tek mbikalimi i urës 6-metroshe në afërsi të fshatit Shtiqën. Për pasojë është plagosur rëndë drejtuesi i fuoristradës Adem Noka dhe tre pasagjerët që gjendeshin në automjet. Plagë të lehta ka marrë edhe drejtuesi i kamionit, Enver Toçilla.
I plagosuri Adem Noka është transportuar me helikopter për në Tiranë, ndërkohë që të plagosurit e tjerë, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Kukësit, janë larguar për në shtëpitë e tyre. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes po heton për shkaqet e këtij aksidenti.
Nga hetimet paraprake rezulton se përplasja ka ardhur si rezultat i hyrjes në autostradë në rrugën e gabuar nga ana e drejtuesit të fuoristrades. Autostrada Kukës-Morin megjithëse është hapur për qarkullim rreth një vit më parë, ajo nuk i plotëson parametrat e të qenit e tillë. Në shumë pjesë të saj, përfshirë edhe vendin ku ka ndodhur aksidenti, mungon sinjalistika rrugore.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve vazhdon të mos zhvillojë tenderin për trafikndarëset të cilat do të jenë metalike. Vendosja e trafikndarëseve dhe e brezave të sigurisë do të pengonin edhe hyrjet e shumta në autostradë që po bëhen aktualisht nga banorë të fshatrave përreth saj, ndërkohë që në bazë të projektit në segmentin Morin - Kukës - Myç - Mamëz eksistojnë dy mbikalime në Bardhoc dhe Gostil, si dhe rrethrrotullimi në afërsi të Kukësit, në verilindje të tij.
Por përgjatë gjithë autostradës, që nga Morini deri në Myç-Mamëz janë shënuar dhjetëra ndërhyrje nga fshatrat dhe lagjet që banojnë në afërsi të segmentit Morin-Kukës-Myç-Mamëz duke lënë shkas për aksidente të rënda.