E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova e Maqedonia, marrëveshje në shëndetësi

Ministrat Bujar Bukoshi dhe Bujar Osmani vlerësuan se Marrëveshja e nënshkruar për bashkëpunim i hap rrugë intensifikimit të bashkëpunimit në shëndetësi e medicinë midis dy shteteve

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Bujar Bukoshi dhe ai i Maqedonisë, Bujar Osmani, nënshkruan sot në Prishtinë një marrëveshje bashkëpunimi në lëmin e shëndetësisë.

Të dy ministrat vlerësuan se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje i hap rrugë intensifikimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, duke pasuar parasysh se Kosova dhe Maqedonia kanë interesa të përbashkëta edhe në fushën e shëndetësisë.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes, të dy ministritë, gjegjësisht dy shtetet, zotohen se do të bashkëpunojnë ngushtë në fushën e shëndetësisë, duke qenë se sfidat e këtij sektori janë pothuaj të njëjta”, tha ministri kosovar i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, transmeton Zyra e Informimit e MSH-së.

I bindur se dy shtetet do ta respektojnë marrëveshjen, ministri Bukoshi shprehu përkushtimin e MSH-së që të bashkëpunojë ngushtë, ndërsa përvoja, theksoi ai, tregon se të dy shtetet kanë shumë për të këmbyer në fushën e shëndetësisë dhe medicinës.

Edhe ministri Osmani e vlerësoi marrëveshjen si shumë e rëndësishme, duke theksuar se ajo vendos bazat një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e shëndetësisë. “Nënshkrimi i marrëveshjes është fillimi i ri një bashkëpunimi të ndërsjellë midis dy shteteve dhe në ditët në vijim do të krijohet një plan aksional, i cili do të detajojë në mënyrë konkrete veprimet që duhet ndërmarrë, me qëllim që bashkëpunimi të jetë i plotë”.

Ministri Osmani, bashkë me një delegacion të zgjeruar, është pritur nga ministri Bukoshi me bashkëpunëtorët dhe krerët e institucioneve shëndetësore të vendit, ndërkohë që delegacioni nga Maqedonia është pritur edhe nga zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramë Manaj.

Marrëveshja e nënshkruar sot midis dy ministrave i obligon dy ministritë që të bashkëpunojnë në shkëmbimin e informatave në lëmin e shëndetësisë, shkëmbimin e stafit mjekësor, kontaktet midis Fakulteteve të Mjekësisë Odave të Mjekësisë dhe institucioneve të tjera shëndetësore, zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e ligjëruesve, format e bashkëpunimit në mjekësi të përgjithshme, farmaci, stomatologji, shkencat mjekësore etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›