Aksident në rrugën Skenderaj – Klinë, 7 të lënduar
Shtatë persona kanë marrë lëndime të rënda trupore pas një aksidenti në rrugën rajonale Skenderaj – Klinë, në Burojë të Skenderajt.
Sipas të dhënave në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, të lënduarit janë sjellë në Shërbimin Emergjent, të enjten rreth orës 16.45, ku u ishte dhënë ndihma mjekësore, ndërsa për shkak të lëndimeve serioze që kishin, ata janë dërguar në QKU në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Sipas të dhënave në QKMF-së, lëndime kanë marrë: Mursel Hajdaraj (1953) nga Klina, Hasime Hajdaraj (1965), gjithashtu nga Klina, Ardita Ramadani (1985), Bedri Ramadani (1976) dhe Erza Ramadani (2008), Afrim Nebihu (1979), të gjithë nga Vajniku i Skenderajt, si dhe Skënder Berisha (1975) nga Buroja.
“Të gjithë ata kanë marrë lëndime serioze trupore dhe pasi që iu është dhënë ndihma mjekësore emergjente në QKMF, ata janë transferuar në QKU”, tha dr. Zenel Dobrani, i cili i ka trajtuar të lënduarit e këtij aksidenti.
Policia ka konfirmuar ngjarjen, por nuk ka dhënë hollësi të tjera. Sipas policisë, për shkaqet që kanë çuar deri te aksidenti është duke hetuar policia rrugore.
KosovaPress raporton se aksidenti ka ndodhur si pasojë e ndeshjes direke të dy automjeteve, që qarkullonin në drejtime të kundërta përgjatë aksit rrugor Skenderaj- Klinë.