E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marty s’e rrezikon pavarësinë

Nga Express më 04 mars 2011 në ora 18:22

Kombet e Bashkuara, sikundër edhe Rusia, presin që hetimet rreth pohimeve mbi krimet në Kosovë, përfshi pohimet për trafikim me organet njerëzore gjatë luftës, t’i zhvillojnë institucione ndërkombëtare me autoritet, citojnë mediet e Beogradit Shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier, të ketë thënë në Moskë.

Zannier konsideron se pohimet për krimet e udhëheqësve kosovarë nuk rrezikojnë pavarësinë e Kosovës. “Pres që qeveria e Kosovës të japë sqarimet e veta rreth kësaj lënde të ndërlikuar”, i ka thënë Zannier të përditshmes ruse “Novie Izvestia”.

Duke komentuar kërkesën e Prishtinës rreth pranisë së misionit të KB në Kosovë, Zannier ka rikujtuar se shpalljen e pavarësisë së Kosovës e kanë njohur më pak se gjysma e vendeve anëtare të KB, për ç’arsye Kosova është e detyruar të bashkëpunojë vetëm me ato që i kanë njohur.

“Ne nga ana jonë po ndihmojmë që të bashkëpunojë me të gjitha shtetet, duke vepruar në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, po përpiqemi t’u ndihmojmë disi kosovarëve që të integrohen në bashkësinë ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë shefi i UNMIK’ut.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a ka ende mundësi për konflikt të ri ndërnacional, duke pasur parasysh se serbët në Kosovë nuk e pranojnë autoritetin lokal, Zannier është përgjigjur se askush nuk dëshiron që Kosova të jetë një nacionale dhe se OKB’ja angazhohen që të jetë multietnike.

“Shpërputhja ndërmjet pozicioneve të serbëve e shqiptarëve kuptohet mund të shkaktojë situatë jostabile, sidomos kur shqiptarët përpiqen të imponojnë institucionet e veta të pushtetit, duke injoruar mendimin e popullatës serbe”, ka thënë Zannier, duke përmendur se një nga mospajtimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës është çështja e statusit të serbëve në Kosovë, kurse për zgjidhjen e këtij problemi deri tash nuk është arritur kurrfarë përparimi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›