Dëmet e luftës të përfshihen në bisedime
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u takua të premten me përfaqësuesit e Shoqatës për dëmet e luftës, “Ngritja e Zërit”, ndërsa këta të fundit kërkuan që në agjendën e bisedimeve të parashihet edhe çështja e kompensimit të dëmeve të shkaktuara gjatë luftës dhe në periudhën para saj.
Kryeparlamentari Krasniqi i falënderoi përfaqësuesit e kësaj shoqate për informacionet dhe i përgëzoi ata për punën që e kanë bërë.
Kreu i Kuvendit shfaqi mirëkuptim ndaj kërkesave të tyre, por sugjeroi që ato të adresohen në institucionet ekzekutive të vendit. Sipas tij, kërkesa do t’i delegohet edhe komisionit përkatës të Kuvendit.
Kryetari i shoqatës, Jahir Bejta, shoqatë kjo me qendër në Skenderaj parashtroi edhe kërkesën për përfshirjen e kësaj shoqate në grupin për dialog me Serbinë, në cilësi të shoqërisë civile, ose që, të paktën, në agjendën e bisedimeve të parashihet edhe çështja e kompensimit të dëmeve të shkaktuara gjatë luftës dhe në periudhën para saj.
U kërkua, gjithashtu, gjetja e mundësive dhe formave të financimit për shtrirjen e shoqatës në të gjitha qendrat e Kosovës, transmeton Telegrafi.