E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e ngrohjes rrezikon ndërprerjen e mësimit

Nga Express më 04 mars 2011 në ora 18:10

Vazhdimi i reshjeve të borës dhe moti i ftohtë që po mbretërojnë në vendin tonë si dhe dështimi i “Terkomosit” që të furnizojë qytetin e Prishtinës me ngrohje cilësore, ka sjellë probleme të shumta. Madje të ftohtit rrezikon që prapë në disa shkolla të ndërpritet procesi mësimor së paku për një javë.

Dështimi i “Termokosit” për të ofruar ngrohje për kryeqytetin dhe mos instalimi i ngrohjeve vetanake nëpër shkolla ka sjellë në situatën që përsëri në shumë shkolla mësimi të mbahet me orar të shkurtuar.

Drejtori i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, Milaim Berisha tha se të ftohtit e madh ka bërë që nxënësit të mos jenë të koncentruar në mësim dhe i ka shtyrë që të shohin mundësinë e ndërprerjes së mësimit për një kohë.

“Ne kemi bërë edhe një kërkesë në Drejtorinë Komunale të Arsimit që procesi mësimor në komunën e Prishtinës të ndërpritet për një javë me kusht që në fund të vitit shkollor të kompensohen orët e humbura. Jemi duke e përcjell edhe situatën meteorologjike, do të thotë nuk jemi në favor të kësaj çështje, pra pritet që nga e hëna të zbresin temperaturat”, ka thënë ai.

Edhe drejtori komunal i Arsimit, Remzi Saliu e ka thënë për Kosovapress se e vetmja zgjidhje nëse vazhdon të jetë moti i ftohtë mbetet ndërprerja e procesit mësimor, por me kusht që orët e humbura të kompensohen më vonë.

“Javët e ardhshme kemi parasysh, do të shohim mundësitë edhe atmosferike të cilat janë dhe nëse javën e ardhshme do të jetë prapë një ftohtë i cili parashihet ne nuk shkojmë në ato forma të bojkotimit, por ne do të merremi vesh drejtpërsëdrejti me shkollat që ndoshta do të bëjmë një pushim një javë ditë me qellim që orët e humbura, mësimi i humbur të zëvendësohen më vonë”, ka thënë ai.

Dështimi i “Termokosit” që të ofroj ngrohje për gjithë qytetin dhe shkollat i ka shtyrë drejtuesit e komunës që të shikojnë mundësinë e sigurimit të ngrohjeve vetanake për objektet shkollore.

Edhe pse ngrohja vetanake ende nuk është arritur të sigurohet, drejtori Salihu thotë se tashmë janë filluar të gjitha procedurat dhe pas mëvetsimit të shkollës “Dardania” dhe “Ali Sokoli”, nxemjet do të instalohen edhe në shkollat tjera.

“Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ndoshta dy jave eventualisht tri jave do të montohen të gjitha, do të kryhen punët teknike që secila nga këto gjashtë shkolla të cilat tash nuk kanë nxemje vetanake do t’i kenë nxemjet vetanake”, është shprehur ai.

Ndërkaq përveç shkollës “Hasan Prishtina” tash e disa javë ngrohja mungon edhe në shkollat, “Dardania”, “Xhemajl Mustafa”, “Faik Konica”, “Xhevdet Doda”, “Ali Sokoli”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›