Kusari-Lila: Do vëmë rënd në veri

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka pritur të premten në një takim zëvendës shefin e Misionit EULEX, Endi Sparks, me të cilin janë dakorduar që të punohet intensivisht për kthimin e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
Në këtë takim ka qenë prezent edhe drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, ku temë e takimit ka qenë pikat doganore në veri të vendit.
Ministrja Kusari-Lila ka thënë se institucionet vendore janë të përkushtuara që Kosova të jetë një zonë e lirë tregtare, ku do të respektohen rregullat e tregut.
Ajo ka thënë se për shkak të humbjes të të hyrave nga pikat doganore në veri për shkak të ekonomisë informate, duhet t’i bëhet me dije popullatës serbe në veri se inkasimi i të hyrave nga doganat do të shkojë direkt në zhvillimin e asaj pjese të Kosovës.
“Ne jemi të interesuar bashkë me EULEX-in dhe për këtë biseduam konkretisht sot të kemi një plan në të cilin do të fillojmë gradualisht vënien e rendit në këtë pjesë të Kosovës dhe kontrollin në këto pika. Duhet të sigurohemi që edhe popullsia që banon në këtë pjesë të Kosovës të kuptojë se vënia e rendit dhe ligjit dhe marrja e të hyrave në këtë rast TVSH-së dhe akciza nuk është një proces politik apo nuk është një proces i cili politikisht të ndërhymë, por është një proces i cili shkon në të mirë dhe në zhvillim të kësaj pjese të Kosovës”, ka theksuar Kusari-Lila.
Ndërsa, zv. shefi i EULEX-it, Endi Sparks, ka thënë se ky mision ka një rol shumë krucial për monitorimin e pikave doganore, ndërsa sa i përket kontrabandës ai ka shtuar se ky problem është i pranishëm edhe në shtetet e tjera.
“Problemi me kontrabandë është në gjithë rajonin dhe jo vetëm në Kosovë dhe është plani i EULEX-it që të lufton këtë dukuri”, ka theksuar Sparks.
Ndërsa lidhur me raportin e senatorit zviceran Dik Marti pë kinse trafikim organesh, Sparks ka thënë se hetimet janë ende në fazën fillestare dhe se nuk ka të dyshuar.
“Jemi në fazën fillestare në këtë dhe nuk ka të dyshuar”, ka thënë ai.