Aksident polivalent në plazhin Spille
Të gjithë ata që kanë fëmijë të vegjël dhe i mbajnë në prehër teksa i japin makinës, pa dashur dhe pa menduar gjatë, mund të shkaktojnë një aksident me pasoja fatale. Fatkeqësi mund të shkaktohen edhe në rastet kur rripi i sigurimit vendoset në mënyrë të papërshtatshme, sikundërse ndodh rëndom, që të lidhet mbi trupin e fëmijës që mbajmë në prehër. Statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë raportojnë se në vendin e dytë të shkaktarëve më të shpeshtë të vdekjes në vend janë aksidentet.
Ndërkohë që edhe njohuritë apo manipulimi që bëjnë mjekët apo infermierët paramjekësorë shpeshherë duhen rinovuar dhe praktikuar, duke mësuar nga përvoja e më të mirëve.
Nisur nga shkalla e lartë e aksidenteve, por nga ana tjetër edhe nga kërkesa e vazhdueshme e mjekëve për të pasur trajnime, për të katërtin vit radhazi, mjekët shqiptarë nga sistemi i urgjencave në vend janë trajnuar nga Fondacioni Zviceran në Shqipëri, “Sëiss foundation for innovation”.
Gjatë një jave, nën drejtimin e trajnuesit zviceran, Felix Herkert, trupa paramjekësore shqiptare është specializuar në dhënien e ndihmës së shpejtë për raste të ndryshme emergjencash.
Kryesisht trajnimi është zhvilluar për sa i takon parandalimit të dëmeve sekondare gjatë dhënies së ndihmës së parë, dhënies së kujdesit mjekësor në kohën e duhur, parandalimit të traumave, kurimit të gjendjes së shokut dhe organizimit të punës nga vendi i ngjarjes deri në përcjellje për në spitalet e specializuara.
Ndër të tjera, mjekët shqiptarë kanë marrë sugjerime edhe për sa i takon punës në grup, bashkëpunimit me strukturat e forcave të rendit, zjarrfikësve, ambulancave, njësisë së helikopterëve por edhe komunikimit me mjekët e spitalit më të afërt ku do të çohet i aksidentuari. Shpëtuesi kryesor i një aksidenti është rripi i sigurimit, pas tij vijnë skuadrat e shpëtimit.
Grupet e emergjencave civile apo ushtarake duhet të jenë të trajnuar dhe të zgjuar për të gjetur zgjidhje të shpejta në raste të jashtëzakonshme. Por njëkohësisht edhe të pajisur me aparatura dhe mjete speciale për të qenë të sigurt për jetën e tyre, si dhe për të shpëtuar jetën e tjetrit.
Dje, në Spille të Kavajës, në qendrën mjekësore diagnostike, Fondacioni Internacional Zviceran ka organizuar shfaqjen e aksidenteve të stimuluara, një ngjarje polivalente, ku përfshiheshin të aksidentuar në forma të ndryshme, por të vështira. Pas një jave trajnimi, mjekët kanë demonstruar aftësitë për të përballuar punën në rast fatkeqësie natyrore siç është tërmeti. Në një rast të tillë, nëpërmjet teorisë dhe praktikës, specialistët kanë mësuar sesi të japin ndihmë mjekësore, psikologjike dhe në infrastrukturë për njerëzit e plagosur, të cilët kanë humbur të afërmit, apo janë lënduar.
Në ceremoninë e mbylljes së projektit të trajnimit për specialistët e emergjencave ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Petro Mersini, Gazmend Bejtja, si dhe përfaqësues nga pushteti vendor.
Presidenti i “Sëiss Foundation International”, Christian Vogeli, ka sjellë në vëmendje të të gjithë të ftuarve rëndësinë që ka dhënia e ndihmës paraspitalore, në mënyrë të veçantë për fëmijët. Vogeli ka përmendur se sa e rëndësishme është dashuria për punën, për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe fryma e grupit për t’u kujdesur edhe për ato raste që mund të duken të pashpresë.
Ndërsa trajnuesi, edhe këtë vit, nuk ka harruar moton e skuadrës së kërkim-shpëtimit që jep ndihmë paraspitalore: Për të dhënë ndihmën e parë nevojitet 45% kurajë, 45% pasuri idesh dhe 10% para. “Parimet kryesore të dhënies së emergjencës na mësojnë të kemi të sigurt stafin, të japim ndihmë për të shpëtuar, por për t’i dhuruar të dëmtuarit një jetesë cilësore. Duhet të shmangim mbytjet, të shmangim gjakderdhjet. Jepni oksigjen, është tepër e rëndësishme që në ditët e tjera pacienti të mos ketë shqetësime të gjymtyrëve, shpëto jetë, parandalo dëmtimet dytësore”, u shpreh Herkert. Pas kursit të trajnimit, pjesëmarrësit kanë demonstruar aftësitë e përfituara në këtë trajnim. Drejtori i një spitali ka dëshmuar që falë trajnimit, personeli dëshmon aftësi në manipulime dhe një rast në sajë të asaj që ka mësuar ka shpëtuar jetën e një pacienti. Në disa raste ka pasur dhe ngritje në detyrë të personelit infermieror me pozicionin e kryeinfermierit në pavijonin ku punojnë, ose me zhvendosje në departamentin e urgjencës.
#