Aksidente në Elbasan dhe Durrës, një i vdekur dhe pesë të plagosur
Durrës/Elbasan- Një person i vdekur dhe pesë të plagosur është bilanci i dy aksidenteve të ndodhur mëngjesin e sotëm në Durrës dhe në Elbasan.
Aksidenti i parë u shënua në aksin Cërrik-Elbasan, pranë fshatit Mjekës, ku u përlasën katër automjete. Mësohet se dy autobusë janë përplasur me një autoveturë, ndërsa një kamioçinë ka dalë nga rruga për të evituar përplasjen.
Sipas policisë shkak është bërë autovetura me targa TR8456M, e cila për shkak të shpejtësisë ka përplausr nga pas një autobus, ndërsa është goditur nga një tjetër autobus që vinte pas saj. Nga aksidenti u plagosën dy persona të cilët morën mjekimin në spital.
Aksidenti tjetër u shënua rreth orës 10:30 në Manëz të Durrësit, ku një automjet humbi kontrollin dhe u përplas me murin rrethues të një banese. Në të udhëtonin katër persona, ku një i ri ka humbur jetën dhe tre të tjerët kanë marrë plagë të ndryshme në trup dhe u dërguan në spital. Policia ka nisur hetimet dhe po punon për të zbuluar shkaqet e të dyja aksidenteve.
Ndërkohë një automjet në zonën e Farkës në Tiranë u përfshi nga flakët, ndërsa kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse. Po punohet për zbulimin e shkaqeve.