E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, dy të vdekur Pogradec e Korçë

Përgjaken sërish rrugët në Juglindje të vendit. Brenda pak orësh, dy aksidente të rënda me pasojë vdekjen e dy personave kanë ndodhur dje në Pogradec dhe Korçë. Ngjarja e parë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur një kamion ka dalë nga rruga në aksin Proptisht-Pogradec dhe si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit. Aksidenti ka ndodhur në orën 6:50 në afërsi të fshatit Golik dhe viktima është 54-vjeçari Naumçe K. nga qyteti i Pogradecit. Mësohet se shoferi ka gjetur vdekjen e menjëhershme, kur mjeti i tonazhit të rëndë me targa PG 4232 E, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Burime nga policia lokale sqarojnë se 54-vjeçari i lodhur nga rruga është përgjumur dhe për pasojë ka humbur drejtimin e mjetit duke rënë në anë të rrugës. Nga përplasja e mjetit ai ka pësuar një çarje në kokë e për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Vetëm pak orë më pas, ka ndodhur një tjetër aksident rrugor me pasojë vdekjen e një 62-vjeçari nga fshati Bulgarec i Korçës. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:20 të së hënës, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, ku si pasojë e përplasjes nga një mjet ka gjetur vdekjen 62-vjeçari Lavdërim Vija. Viktima ishte duke udhëtuar me biçikletë në rrugën nacionale për të shkuar në banesën e tij kur është përplasur nga një kamion që vinte në drejtim të qytetit të Korçës. Për shkak të errësirës mjeti që lëvizte në të njëjtin drejtim me biçikletën e ka përplasur 62-vjeçarin në asfalt. Ai ka pësuar plagë të rënda në pjesën e kokës, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit kamion me targa Ko 11 82 B, ndërsa nga veprimet e para hetimore është përcaktuar se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia me të cilin udhëtonte automjeti me targa të Korçës.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›