E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishfaqen grabitësit me maska në rrugët e Matit

Rikthehen grabitjet me maska në rrugët e rrethit të Matit. Paraditen e djeshme, dy persona të armatosur dhe me maska kanë sulmuar një furgon me udhëtarë që udhëtonin drejt kryeqytetit. Burime nga policia lokale konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur në Vig të Matit, paraditen e së hënës, kur para një furgoni me udhëtarë nga Selishta e Dibrës, krejt papritur kanë dalë dy persona të maskuar. Nën kërcënimin e armëve ata kanë detyruar drejtuesin e furgonit të ndalë automjetin dhe më pas kanë mundur të grabisin të hollat dhe sendet me vlerë që udhëtarët kishin me vete në ato momente. Mësohet se fatmirësisht ndër udhëtarët e grabitur nuk ka pasur të lënduar. Grabitësit menjëherë janë larguar nga vendngjarja në drejtim të paditur, duke i lënë udhëtarët të terrorizuar në rrugë. Sapo është sinjalizuar policia e Komisariatit të Burrelit ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka marrë dëshmitë e udhëtarëve dhe shoferit të furgonit. Ndërkohë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy grabitësve, por ende nuk ka asnjë person të shoqëruar në polici si të dyshuar për këtë ngjarje. Rishfaqja e maskave në këtë rrugë përbën rastin e dytë në pak muaj. Kujtojmë se vetëm pak muaj me parë në këtë rrugë, një grua u plagos me armë zjarri, kur furgoni me të cilin udhëtonte u sulmua nga maskat.

Hy.Li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›