E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat luksoze, policia vijon aksionet në rrugë

Vijojnë aksionet e rrugorëve për bllokimin e automjeteve të vjedhura, si dhe gjobitjen e shkelësve të rregullave të qarkullimit. Kështu, në Elbasan, një 36-vjeçar nga qyteti i Durrësit po ndiqet penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka vjedhur një makinë. Burimet zyrtare nga policia e Elbasanit bëjnë të ditur se Ervis Deliallisi, lindur e banues në Durrës është kapur gjatë operacionit "Targa e falsifikuar", pasi mjeti i tij me targa CN 414 WL, në pronësi të Jani Xhufkës, 21 vjeç, banues në Elbasan, kishte disa dokumente të dyshuara si të falsifikuara. Sipas burimit në fjalë, këto dokumente ishin në emër të Deliallisit, por që kontrata e shitblerjes ia kishte kaluar Xhufkës. Ndërkohë, vërtetimi i hyrjes së automjetit me targa CN 414 WL në emër të Deliallisit mbante një datë e cila nuk korrespondonte me të dhënat në sistemin "TIMS" për këtë person, gjithashtu njëri nga numrat e shasisë së këtij mjeti, i reklamuar në pjesën e përparme, poshtë xhamit mungonte plotësisht pasi ishte i fshirë. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "falsifikim i vulave, stampave ose formularëve". Ndërkohë, policia e Elbasanit ka bllokuar për verifikim dokumentacioni edhe katër mjete të tjera, nga ku pritet të konkludohet pas kontrollit të imët të tyre.

Ndërkaq, në Qarkun e Fierit, prej dy ditësh është zhvilluar një aksion policor, i cili është mbështetur nga Task-Forca. Objektiv i këtij aksioni ka qenë pikërisht origjina e automjeteve me vit prodhimi periudhën e tre viteve të fundit. Sipas kreut të qarkullimit rrugor në Komisariatin e Fierit, Nazër Plaka, mësohet se Task-Forca e Tiranës dhe efektivët e qarkullimit kanë ngritur disa postblloqe jo vetëm në hyrjet dhe daljet e qytetit, por edhe përgjatë segmenteve të rrugëve kombëtare. Konfirmohet se janë 8 postblloqe të mjeteve, të cilat kontrollojnë jo vetëm dokumentacionin e origjinës së tyre, por edhe numrin e gjobave të pashlyera. Gjatë dy ditëve të aksionit, sipas kreut të qarkullimit Fier, mësohet se janë bllokuar 190 automjete, të cilat janë gjetur me mangësi në dokumente. Mes tyre konfirmohet se ka pasur edhe drejtues mjetesh të ndëshkuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Ma. Tr./ Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›