E Diel, 1 Nëntor 2026

Prindërit e Alketit: Parandiemë diçka të keqe

Riarrestimi i Alket Rizait nga policia greke ka sjellë reagimin e të afërmve dhe të bashkëqytetarëve të tij në Ballsh. Familjarët apelojnë për drejtësi dhe kërkojnë kthimin e Alket Rizait në Shqipëri, ndërkohë që të afërm të tjerë këmbëngulin për se ai është i pafajshëm. Në qytetin e Ballshit, qendër administrative e Rrethit të Mallakastrës, arrestimi për herë të tretë i Alket Rizait është temë e ditës. Nëna e tij, Donika dhe babai Ramizi, ishin të parët që ishin informuar për arrestimin. Ata qëndronin edhe dje në kafenenë e tyre, duke pritur e përcjellë veç klientëve, edhe shumë të afërm. Thonë se e kishin parandier se diçka do t‘i ndodhte djalit. E kishin parë në ëndërr. Donika dhe Ramiz Rizai tregojnë se me Alketin çmallen vetëm duke e parë nëpër gazeta e televizione, sepse nuk kanë komunikuar me të që nga arratisja e dytë. Ata thonë se mediat kanë krijuar një imazh joreal për djalin e tyre. "Shteti ynë, asnjëherë nuk ka treguar se mbron interesat e shtetasve të vet. Ne si prindër kemi kërkuar me dhjetëra herë nga institucionet përkatëse që djali të vijë në Shqipëri. Ai është i pafajshëm dhe për këtë jemi të bindur. Ne si prindër e kemi pyetur atë në telefon dhe e kemi besuar. Ai nuk është autor i vrasjeve që deklarojnë grekët, ndërkohë që arratisjen nga burg e quaj të drejtë. Kur mungon drejtësia, ajo do të vendoset nga vetë i dëmtuari", thonë Donika dhe Ramizi, prindërit e Alket Rizait.
Në tavolinën ku qëndronin prindërit dhe të afërmit e Alketit nuk servirej kafe. Donika u lutet të afërmve të marrin pije alkoolike apo ndonjë gjë të ëmbël. Nuk do të ndjellë ters. "Jam nënë me zemër të vrarë. Të tre djemtë i kam jashtë, por Alketin kam 12 vjet që nuk e kam takuar. Më ka marrë malli për të. Aq më shumë pas gjithë këtyre lajmeve, meraku për të më është shtuar. Kam kohë që nuk kam folur edhe në telefon", tregon Donika, ndërsa vijon të shërbejë në lokal. Ramizi, gjithmonë ia pret fjalën. Nuk do që ajo të ankohet. "Këto ankesa do të sëmurin", i thotë ai dhe kërkon nga të gjithë të mos diskutojnë më për këtë çështje.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›