E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet vjedhja, prona u falsifikua nga pretenduesit

 

Ferdinand Dervishi

“Pretenduesit falsifikuan dokumentet e vjetra, duke katërfishuar sipërfaqen e pronës dhe zhvendosur planvendo-sjen në bregdet”. Ky është zbulimi që ka bërë Task Forca, apo Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave. Sipas relacionit prej katër faqesh, të nënshkruar nga Drejtori Ored Bylykbashi, përgjegjësia disiplinore për këtë rast bie mbi gjashtë zyrtarë, të cilët janë marrë me verifikimin e ligjshmërinë së dokumenteve të paraqitura. Sipas relacionit, në datën 14.08.2008 Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit të Pronave të Tiranës ka vendosur për njohjen e së drejtës së pronësisë trashëgimtarëve të vëllezërve Nexhmi e Jonuz Shijaku, një pronë që gjendet në dy parcela në Bardhore, në bregdet, në vendin që quhet Kalaja e Turrës, në sasinë prej 540 dynymësh. Por në momentin që ky vendim shkon në Hipotekën e Kavajës, aty konstatohen elementë të falsifikimit të dokumenteve të vjetra në lidhje me sipërfaqen dhe vendndodhjen. Më pas ngjarjet rrjedhin në këtë mënyrë. Task Forca vëren se Avokatura e Shtetit ka ndërhyrë të ankimojë vendimin dy ditë pas skadimit të afatit 30 ditor. Pra një mosveprim i dyshimtë në kohë, që ka lënë shteg që vendimi të marrë formë të prerë dhe të përbëjë titull ekzekutiv. Më të mësuar për problemet, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së Tunxh Vatnikaj, revokon urdhrin e tij për dhënien e formës së prerë të vendimit të datës 14 gusht 2008. Një vendim i dytë që neutralizon të parin. Në të njëjtën kohë Prokuroria e Tiranës nis hetimet mbi bazën e kallëzimit të Kryetarit të Komunës Synej dhe sekuestron dokumentet e AKKP-së e të Hipotekës së Kavajës. Sipas Task Forcës, gjithçka konsiderohet “tentativë vjedhjeje e pronës shtetërore përmes falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës”. Saktësisht, dokumenti i vjetër hipotekor i paraqitur në AKKP është falsifikuar dhe rezulton se nga 112.000 metër/katror është bërë 480.000 metër/katror. Po kështu nga hetimi rezulton se planvendosja e pronës është ndryshuar duke u spostuar dhe vendosur buzë detit. Task Forca ka vënë re gjithashtu se veprimet për këtë procedurë janë bërë më shpejt se afatet e parashikuara në ligj. Pra këtu janë krijuar dyshime se përse ka pasur një ngut të tillë dhe përse nuk është bërë verifikimi i dokumentacionit të vjetër të pronësisë. Pikërisht, sipas Task Forcës, ky konsiderohet si fakti kryesor që ka lejuar nxjerrjen e vendimit. Më tej është vërtetuar se drejtori i larguar (Tunxh Vatnikaj) ka kërkuar verifikimin e dokumenteve me korrespondencë shkresore. Por, të njëjtat shkresa, me anë të kësaj rruge të zgjedhur, nuk kanë mbërritur në kohë në Hipotekën e Kavajës. Sipas Task Forcës arsyet e mosfunksionimit të këtij verifikimi përmes korrespondencës mbeten për t’u verifikuar. Në fund të argumenteve Task Forca përcakon edhe gjashtë përgjegjësit për dhënien e vendimit numër 235 të datës 14.08.2008.

“Si dyshuam se pronën prej 54 ha në bregdet donin ta vidhnin”
Praktikisht djaloshi që vjen të takim është shkaktari i gjithë zallamahisë së fundit të skandalit të pronave në bregdetin e Kavajës. Quhet Përparim Çaça, është Kryetari i Komunës Synej, dhe sipas dokumenteve të Departamentit Antikorrupsion apo Task Forcës, siç njihet nga të gjithë, ka ngritur i pari zërin për vjedhjen e më shumë se 50 hektarëve tokë në bregdetin e komunës që drejton. Por vetë Përparimi nuk ka dëshirë ta pohojë këtë. Edhe pse shpjegon hollësisht, sipas mënyrës së vet, gjithçka që ka ndodhur.
Zoti Përparim, mund të na shpjegoni se çfarë ka ndodhur në këtë pronë në komunën tuaj dhe se çfarë është duke ndodhur aktualisht? Është e vërtetë se gjithçka ka nisur prej jush?   
Së pari duhet t’ju shpjegoj se bëhet fjalë për një pronë rreth 50 hektarë në zonën e komunës që unë drejtoj, që gjendet në fshatin Bardhor, në bregdet, apo më saktë në vendin që quhet Kalaja e Turrës. Kjo pronë iu kthye pretenduesve nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave, por Hipoteka e Kavajës ka refuzuar ta regjistrojë dhe më tej prokuroria ka nisur hetimet. Ne si komunë jemi shumë periferikë në këtë histori.
Si veprohet në raste kur pretendues të ndryshëm, apo ish-pronarë të ligjshëm aplikojnë të marrin prona që ndodhen në komunën tuaj? Pra si vendoseni ju juridikisht përballë këtyre kërkesave dhe si keni vepruar me rastin konkret?
Ju pohova se ne si komunë vendosemi shumë larg vendimeve të tilla. Neve pak a shumë na kërkohet një informacion formal, pra jemi jashtë vendimmarrjes. Konkretisht komuna nis të merret me çështje të tilla në momentin kur na mbërrin zyrtarisht nga Agjencia Rajonale e Kthimit të Pronave e Tiranës, një tip formulari që etiketohet “Konfirmim mbi gjendjen juridike të pronës së pretenduar”. Pra është një model fiks përmes të cilit na kërkohet; 1- A është e ndarë prona me ligjin 7501? 2- A është e lirë? 3- A ka ndërtim të ligjshëm apo të paligjshëm mbi këtë pronë?...
Dhe cila ishte përgjigja juaj për rastin në fjalë, pra për pronën në bregdet në vendin e quajtur Kalaja e Turrës?
Përgjigja zyrtare ishte: 1- Toka gjendet në zonën kadastrave 2909. 2- Është pronë shtetërore. 3- Ka qenë historikisht pronë shtetërore dhe nuk ka pasur ish-pronarë. 4- Duke qenë se kemi këto të dhëna, ju kërkojmë juve, Komisionit të Kthimit të Pronave, që të na dërgoni origjinën e kësaj prone në vite. 5- Të na dërgoni edhe transkriptimin (përshkrimin e pronës) si dhe vendimin e gjykatës se kjo është prona e një personi të caktuar...
Dhe si u përgjigj Agjencia e Kthimit të Pronave?
Nuk u përgjigj. Më pas mësuam se ja dhanë dikujt, mos gaboj një personi të quajtur Jonuz Shijaku. Neve nuk na lajmëroi askush për këtë vendim. Qëlloi që shkuam në Hipotekën e Kavajës për punët tona dhe aty mësuam se këtë vendim hipoteka e kishte refuzuar dhe se njëkohësisht ai ishte bllokuar nga Task Forca e Tiranës. Më tej kemi pasur bashkëpunim me prokurorinë, që ka nisur hetimet. Flasim për veprime të konsumuara që në gushtin e vitit të kaluar. Prokurorisë i kemi vënë në dispozicion të gjitha dokumentet që dispononim. Një moment pata mundësi të lexoja vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave. Më bëri përshtypje se aty shënohej, pra në vendim shkruhej se “komuna ka dalë jashtë juridiksionit”. E kishin fjalën për kërkesat e shumta që kishim bërë në përgjigjen e formularit që quhet “Konfirmim mbi gjendjen juridike të pronës së pretenduar”.
A dyshuat ndonjëherë se kjo pronë po i jepej dikujt me të padrejtë?
Po, dyshuam. Dyshuam pasi në hartën që na dërgoi Agjencia e Kthimit të Pronave nuk kishte kufitarë të pronës. Pra në hartë prona ishte e parrethuar nga prona me pronarë të tjerë. Pasi çdo pronë ka kufizues në të gjitha anët e horizontit. Dyshuam gjithashtu se ajo shtrihet në një vend shumë të lakmuar. Bregdeti pranë Kalasë së Turrës është një mrekulli. Është shkëmbor dhe me plazhe të virgjëra. Shumë i lakmuar.                fe. de.

Pronat, hetimi përfshin 100 hektarë 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Tiranës, e cila është duke hetuar një skandal me pronat shtetërore në zonën e “Gjirit të Gjeneralit” në komunën Synej të Kavajës, zgjeroi verifikimet e saj për një sipërfaqe tokash prej 100 hektarë truall në bregdet. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave pas dokumentimit të abuzimeve me rreth 48 hektarë tokë, e cila është përfituar nga Jonuz dhe Nazmi Shijaku, edhe një sipërfaqe tjetër po me këtë madhësi, po verifikohet nëse është abuzuar në të njëjtën formë, pas dyshimeve serioze që janë ngritur mbi procedurat e ndjekura prej Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. “Po verifikohet gjithë procedura e ndjekur me një sipërfaqe 100 hektarësh, e cila përfshin 48 hektarë të përfituar nga Nazmi Shijaku dhe Jonuz Shijaku, si dhe për një sipërfaqe tjetër po në këtë madhësi, që ndodhet në të njëjtën zonë”, thanë burimet e Prokurorisë së kryeqytetit. Sipas tyre për sipërfaqet e tokës në fjalë, ka pasur dyshime dhe pretendime serioze të ngritura se janë përdorur në kundërshtim me ligjin për kompensimin e disa personave që janë bërë pronarë, siç dyshohet, me dokumente false.
Zyrtarët në hetim
Ish-kryetari i Agjencisë së kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tunxh Vatnikaj, i shkarkuar pak ditë më parë nga detyra me vendim Qeverie, është zyrtari më i lartë, por jo i vetmi, që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për skandalin e pronave në bregdetin e Kavajës. Burime zyrtare të prokurorisë, thanë dje se janë marrë në hetim edhe ish-krerë të Agjencisë së Kthimit të pronave të Tiranës, punonjës të kësaj agjencie, si dhe zyrtarë të Kadastrës dhe të Hipotekës së Tiranës. Përmes një procesi me mangësi ligjore dhe me dokumente false, dyshohet se 100 hektarë tokë shtetërore janë përdorur padrejtësisht për kompensimin e disa personave që nuk janë ish-pronarë por që janë hequr si të tillë me anë të dokumenteve që Prokuroria po i eksperton pas dyshimeve se janë të falsifikuara. Prokuroria tha se procedura është firmosur nga ish-kreu i pronave Tunxh Vatnikaj, porse gjithçka ishte iniciuar nga Agjencia e Pronave të Tiranës dhe paralelisht Kadastra dhe Hipoteka kanë dhënë konfirmime false për persona që nuk ishin ish-pronarë. Për këto shkaqe, grupi hetimor i Njësisë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, ka sekuestruar dokumentet që bëjnë fjalë për 100 hektarë toka në bregdetin e Sarandës. Dokumentet janë bllokuar në institucionet përkatëse shtetërore, që nga zyra e ish-kryetarit Tunxh Vatnikaj, duke vazhduar me Agjencinë e Pronave të Tiranës, Kadastrën dhe Hipotekën e deri tek komuna Synej në Kavajë, e cila përfshin zonën ku ndodhen tokat me të cilat dyshohet se është abuzuar në shkelje të ligjeve të vendit.
Dëshmitarët në prokurori
Grupi hetimor që po verifikon abuzimet me pronat shtetërore në zonën e Gjirit të Gjeneralit në bregdetin e Kavajës, ka marrë në pyetje më shumë se 13 persona me dijeni për rrethanat objekt hetimi. Përveç disa banorëve të zonës, pronarë të tokës para shtetëzimit të saj, në Prokurori është marrë në pyetje dhe ish-kreu i Agjencisë së Pronave të Tiranës që drejtonte këtë institucion, në kohën kur filloi procedura e përdorimit për kompensim të tokave në komunën e Synejt në Kavajë.

“Skandali i trojeve nuk ka lidhje me mua, firmosa dosjen e specialistëve”

“Jam liruar nga detyra me urdhër të Kryeministrit për ‘bllokim të procesit të kthim-kompensimit të pronave’ dhe jo për atë problemin që përflitet në media”. Njeriu që flet është ai, ish-Drejtori i Zyrës Qendrore të Agjencisë së Kthimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, i shënjestruari i madh i këtyre ditëve, që përkundër imagjinatës së shumëkujt, vihet në dispozicion të gazetës për të thënë versionin e vet, pa asnjë paragjykim.
Zoti Vatnikaj, mund ta na shpjegoni se si mbërriti për firmën tuaj dosja që u jepte pronën prej mbi 50 hektarësh tokë në Komunën Synej në bregdetin e Kavajës?
Praktikisht Drejtori i Zyrës Qendrore të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk merr pjesë në vendimet për kthimin e pronave. Janë specialistët që punojnë, i hartojnë, i verifikojnë. Drejtori mbetem për një firmë të fundit, të cilën e vendos nëse bashkëngjitur me dokumentet e praktikës për pronësinë nuk gjen asnjë kundërshtim në relacionet e përgatitur nga specialistët. Në rastin tonë dokumentet e pronës që gjendet në Komunën Synej, në bregdet, më erdhën në tryezën e punës pa asnjë reklamim nga specialistët dhe për këtë shkak, krejt sipas ligjit, unë firmosa.
Dy ditë më pas ju u detyruat të revokonit të njëjtin vendim, si rrodhën ngjarjet?
E revokova sepse kjo është një procedurë e ligjshme. Pra në momentin kur më informuan, kur më vunë në dijeni, se nga Kryetari i Komunës Synej ka reklamime për këtë vendim, unë e revokova menjëherë. Njëkohësisht për këtë vendim të dytë, që rrëzonte të parin, njoftuam në kohë Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Kryeregjistruesin e Pasurive, Hipotekën e Kavajës. Falë këtij reagimi, prona u bllokua në kohën e duhur dhe ajo i përket ende shtetit. Pra ajo është me vendim pezullimi derisa të mbarojë hetimi i prokurorisë. Nëse prokuroria vërteton se janë bërë falsifikime dhe se ka shpërdorim detyre, atëherë kjo pronë i mbetet automatikisht shtetit.
Pra ju ndiheni krejt i qetë për këtë rast, por sipas jush cila është arsyeja e largimit tuaj nga detyra?
Nuk ka lidhje me këtë ngjarje. Mua më ka mbërritur zyrtarisht vendimi i Kryeministrit Sali Berisha, ku thuhet se jam shkarkuar nga detyra me motivacionin “për bllokim të procesit të kthim-kompensimit të pronave”. Pra për ngadalësim të procesit të punës.
A jeni marrë në pyetje nga prokuroria për këtë rast?
Po, rreth tre muaj më parë, duhet të jem thirrur i pari me cilësinë e dëshmitarit. U kam dorëzuar edhe një rregullore të funksionimit të brendshëm të Agjencisë. Sepse duhet të ishin edhe ata të qartë për mënyrën se i funksionon, se në duar të drejtorit, për firmën e fundit, vijnë dosje me dokumente për të cilat mbajnë përgjegjësi specialistët që i kanë hartuar dhe verifikuar.    Fe. De.

Përgjegjësia disiplinore

Ali Aliu
Shef i Sektorit Juridik

Altin Ceni, Petrit Kullolli, Alma Shehu, specialistë.

Erjon Lama, specialist i Zyrës Qendrore të AKKP

Margit Haxhihyseni, avokat në Avokaturën e Shtetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›