E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi në polici: Burrin e vrava pa dashje, se di si ndodhi

Vitore Suçi ka shpjeguar dje përpara hetuesve vrasjen e dy ditëve më parë duke thënë se i shoqi e kishte sulmuar me gurë

TIRANË- “Nuk doja ta vrisja burrin, nuk e di si ndodhi”. Me këto fjalë Vitore Suçi, ka shpjeguar dje krimin e vrasjes me thikë të bashkëshortit të saj vetëm tre javë pas martesës. Burime nga policia thanë se fill pas ngjarjes që ndodhi dy ditë më parë pranë “Bregut të Lumit” në Tiranë kur Suçi vrau bashkëshortin e saj, 40-vjeçarin Mirash Doda, policia mori në pyetje autoren e cila ndodhesh në gjendje shoku, ndërsa ditën e djeshme ajo është rimarrë në pyetje nga hetuesit e çështjes për të zbardhur rrethanat e krimit. Sipas policisë, 28-vjeçarja ka deklaruar se nuk kishte synim të vriste bashkëshortin, po gjithçka ndodhi krejt papritur pasi ajo u gjend përballë dhunës së tij. Ndërkohë që policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e viktimës dhe autores për të zbardhur me saktësi shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Dëshmia

E gjendur përballë dhunës së ripërsëritur të bashkëshortit të saj, ka rrëmbyer një thikë dhe e ka goditur në zemër duke e lënë të vdekur në vend. Në fakt në dëshminë e saj dhënë para oficerëve të policisë autorja e krimit, Viktore Suçi, 28-vjeçe, nuk kishte pasur si qëllim vrasjen e burrit të saj me të cilin jetonte vetëm prej tri javësh. “Ai po më godiste me grushte dhe më pas me gurë në sy të familjarëve të tjerë. Unë mora një thikë për t’u mbrojtur dhe ai vazhdonte të më godiste dhe e tronditur e qëllova pa e ditur se ku. Ai ra menjëherë në tokë ndërsa ishte mbuluar më gjak. Nuk mbaj më mend se çfarë ka ndodhur” mësohet të ketë thënë para hetuesve Suçi, momentet e krimit. Burime nga policia thanë për “Shekullin” se 28-vjeçarja ka deklaruar se e ka vrarë bashkëshortin në kushte të rënda psikike. Gjithashtu të njëjtat burime shtuan se në pyetje u morën edhe familjarët e çiftit të cilët deklaruar versionet e tyre rreth motivit të ngjarjes, ndërsa mësohet se ata kanë qenë edhe dëshmitarë të vrasjes.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në oborrin e banesës së çiftit të sapomartuar që ndodhet pranë “Bregut të Lumit” në periferi të Tiranës. Viktore Suçi, pas një sherri me bashkëshortin e saj, e goditi atë me thikë në zemër duke i shkaktuar vdekjen. Mirash Doda kishte qenë i martuar më parë me një grua tjetër me të cilën kishte edhe fëmijë. Pas divorcit me të ai kishte njohur 28-vjeçaren Vitore Suçin me të cilën u martua tri javë më parë. Burime nga policia thanë se që në ditën e parë të martesës mes çiftit nisën konfliktet. Skamja dhe xhelozia do të torturonin nusen e re e cila tregon se dhunohej përditë nga bashkëshorti i saj. Në këto kushte ajo vendosi të ndahej nga i shoqi dhe njoftoi prindërit e saj të vinin dhe ta merrnin nga banesa e burrit. Por pikërisht një divorc i dytë dyshohet të ketë irrituar Dodan i cili nuk ka pranuar largimin e nuses. Mes tyre ka nisur një sherr që ka pasuar me përdorimin e dhunës, duke përfunduar me vrasjen e 40-vjeçarit. Policia e njoftuar për ngjarjen mbërriti menjëherë duke çuar në qeli autoren e cila ishte dhe bashkëshortja e viktimës ndërsa më pas nisi hetimet për të zbardhur rrethanate kësaj vrasjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›