Patozi: Diskutojmë çdo gjë, por jo kutitë e votimit

TIRANË - Mazhoranca ka injoruar dje në Kuvend trajtimin e çështjes së hapjes së kutive të votimit, të paraqitur nga opozita parlamentare.
Megjithëse Partia Socialiste theu bojkotin për të hyrë në Kuvend, me qëllim diskutimin e çështjes së transparencës së zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe dorëzimin e projektligjeve për këtë nismë, ajo ka marrë si përgjigje vetëm anashkalimin të këtij problemi nga ana e shumicës.
Pasi kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, paraqiti kërkesën për trajtimin dhe diskutimin e hapjes së kutive të votimit, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, e anashkaloi këtë debat, duke u fokusuar tek progresi i Shqipërisë gjatë këtij mandati qeverisës dhe funksionimit të Parlamentit edhe pa praninë e opozitës përgjatë këtyre gjashtë muajve bojkot.
Që në fillim të fjalimit të tij Patozi e anashkaloi çështjen e kërkesës për hapjen e kutive të votimit, duke theksuar se nuk do ta përmendë një problem të tillë gjatë gjithë fjalimit të tij.
Duke mos e përmendur direkt trajtimin e problematikës, Patozi u shpreh se mazhoranca është e gatshme që të debatojë gjithçka me opozitën, por kjo, sipas tij, nuk presupozon cenimin e pushteteve të tjera nga ana e pushtetit legjislativ, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i mazhorancës për hapjen e kutive ka shkuar sërish në pikën e nisjes.
"Nga ana jonë, ne jemi të hapur dhe të gatshëm të debatojmë dhe trajtojmë gjithçka me opozitën. Sado të madh ta kemi hallin, ne nuk mund t'ia lejojmë vetes as teorikisht që të kapërcejmë muret që ndajnë pushtetet në një republikë parlamentare.
Sado të prekur në dëshirat apo në interesat tona, ne si ligjvënës nuk duhet, as ta mendojmë që të marrim dhe aq më pak të ushtrojmë atribute që kushtetuta dhe ligjet ia japin një pushteti tjetër", - tha dje Patozi. Sipas tij, opozita është në të drejtën e saj për të ndërmarrë çdo aksion politik për transparencën e zgjedhjeve, por kjo sipas Patozit duhet të kryhet në respekt të Kushtetutës dhe rregullave të shtetit ligjor.
"Në funksion të lëvizjes suaj politike, që ju e paraqisni sikur ka për qëllim transparencën dhe zgjedhje më të mira në të ardhmen, mos lini gur pa lëvizur dhe aksion pa ndërmarrë, por gjithmonë në respekt të kushtetutës, ligjeve të vendit dhe rregullave të shtetit ligjor", - u shpreh ai.
Patozi nënvizoi se gjatë këtyre muajve bojkot, kreu i opozitës Edi Rama është përpjekur të mbajë gjallë një kauzë të vdekur dhe që nuk ekziston. Ndërsa shtoi se me hyrjen në Kuvend opozita ka filluar të lexojë drejt Kushtetutën, por nëse e bojkoton sërish atë, kjo është jashtë çdo logjike politike.
*******************
Deputetët e PS-së do të kthehen në Kuvend, vetëm kur të marrin përgjigje pozitive
Kutitë, opozita largohet nga salla e Kuvendit
TIRANË - Partia Socialiste theu bojkotin gjashtëmujor duke hyrë në Parlament pasditen e djeshme, për të dorëzuar dy projektligje me qëllim hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit, por u largua sërish prej sallës, pasi nuk mori përgjigje zyrtare ndaj kërkesës së saj. Në nisje të seancës plenare, 64 deputetët socialistë kryen betimin e deputetit, ndërsa më pas firmosën edhe procesverbalin për prezencën e tyre në Kuvend.
Thyerja e bojkotit të Partisë Socialiste u krye me qëllimin për ta trajtuar çështjen e hapjes së kutive përmes dorëzimit të projektligjeve dhe marrjes së tyre parasysh nga ana e mazhorancës.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, paraqiti nismat e opozitës për hapjen e kutive të votimit, madje gjatë kërkesës së parashtruar prej tij, Ruçi i kërkoi Kryeministrit Berisha që shumica dhe opozita të hetojnë edhe kutitë e qarkut të Fierit, të komunës "Ruzhdie", ku Kryeministri Berisha pretendon se i është grabitur një mandat.
Por, përfaqësuesit e shumicës e kanë anashkaluar këtë kërkesë duke provokuar grupin parlamentar socialist. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike vetëm përshëndeti hyrjen e opozitës në Kuvend dhe nuk dha asnjë përgjigje konkrete për kërkesën e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit.
Në të njëjtin linjë qëndrimi ka qenë edhe Kryeministri Berisha, i cili vuri në dukje se mazhorancës i është grabitur mandati i qarkut të Fierit, por sipas tij, Partia Demokratike nuk ka akuzuar Partinë Socialiste për humbjen e këtij mandati, por problemin ajo e ka me gjykatën që dha vendimin për këtë mandat.
"Megjithatë, është Gjykata e Apelit që e ka hedhur poshtë atë qendër. Ajo nuk urdhëroi përsëritje zgjedhjesh, por e hodhi poshtë. Nga Sali Berisha as keni pasur dhe as nuk do të keni asnjë akuzë.
Problemi është me Gjykatën, jo me ju. Së dyti, realitetet duhet të përpiqemi t'i perceptojmë siç janë. Në mënyrë të përsëritur ju dëgjoj të citohet një vendim i Gjykatës", - tha dje Berisha në Kuvend.
Por, pas deklaratës refuzuese të Kryeministrit Sali Berisha për të trajtuar më tej çështjen e hapjes së kutive dhe kur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e kaloi rendin e ditës për miratimin e projektligjeve, opozita i është përgjigjur me braktisjen e sallës së Kuvendit në orën 18:20 të pasdites së djeshme, për tu rikthyer vetëm kur të marrin një përgjigje pozitive nga ana e mazhorancës.
Ndërsa ditën e sotme grupi parlamentar socialist do të depozitojë pranë zyrave të Kuvendit, dy projektligjet që synojnë hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e zgjedhjeve.
*************
Dokle: Të hapen kutitë, në të kundërt protesta
TIRANË - Vetëm pak orë para futjes në Kuvend, grupi parlamentar i PS-së vendosi përmes një mbledhje që të paraqesë para deputetëve të mazhorancës dy drafte që në thelb synojnë transparencën e zgjedhjeve.
"Shkojmë në Kuvend për të bërë betimin dhe njëkohësisht për t'i paraqitur Parlamentit një draft për ngritjen e komisionit hetimor, i cili përfshin një hetim të pakufizuar dhe të pakushtëzuar. Pra, për një transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe një tjetër projektligj që do t'i shërbejë një standardi europian të Shqipërisë lidhur me zgjedhjet.
Një ligj, i cili garanton cilindo parti politike që ka ankesa për zgjedhjet, qofshin të përgjithshme apo lokale, që të kërkoj hapjen e kutive, hetimin e plotë të zgjedhjeve, hetim të pakushtëzuar dhe të pakufizuar me transparencë të plotë", - tha deputeti i PS-së, Namik Dokle, pas mbledhjes së grupit parlamentar.
Dokle shtoi se pas dorëzimit të drafteve, opozita do të presë reagimin e mazhorancës, pasi, sipas tij, PS-ja nuk mund të qëndrojë në Kuvend mbi kutitë e mbyllura. "Kutitë mund të hapen me vendim Parlamenti, ose pastaj ne do të kërkojmë deri në fund hapjen e kutive bashkë me popullin opozitar", - tha ai.
****************
PS bën betimin në Kuvend, lë sallën pas mungesës së përgjigjes nga Berisha.
Kuvend, Ruçi: Oferta jonë për zgjidhjen e krizës
Replika Ruçi-Berisha Ruçi: Topi është në fushën tuaj. Berisha: S'kisha top, por kalë. Kam mbetur kavalier.
TIRANË - Partia Socialiste nuk do të rikthehet më në Kuvend nëse mazhoranca nuk pranon transparencën e zgjedhjeve parlamentare përmes hapjes së kutive të votimit. Këtë qëndrim opozita e ka ndërmarrë pasi mazhoranca nuk e diskutoi hapjen e kutive të votimit gjatë seancës së djeshme plenare.
Pasi 64 deputetët e grupit parlamentar socialist kanë bërë betimin dje në Kuvend, kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, paraqiti edhe nismën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Duke i kërkuar shumicës dhe Kryeministrit Berisha për të hetuar zgjedhjet, Ruçi theksoi se opozita hyri në Kuvend për të zgjidhur konfliktin me popullin përpara se populli opozitar ta marrë vetë në dorë zgjidhjen e kësaj problematike.
Kreu i Asamblesë së PS-së i bëri edhe një sfidë Kryeministrit Sali Berisha duke i kërkuar atij që të hapen kutitë e komunës "Ruzhdie" të qarkut Fier, ku lideri i mazhorancës pretendon se i është grabitur një mandat.
Ruçi kërkoi që Parlamenti të kryejë vetëm transparencën e komunës Ruzhdie të qarkut Fier dhe të lihen mënjanë qarqet e tjera. "Ne si socialistë na mjafton vetëm transparenca e kutisë së Ruzhdies, meqë ju pretendoni, për tu tërhequr nga fusha e kësaj beteje, nëse nga verifikimi i dokumentit zgjedhor i kësaj kutie nuk del qartë në sytë e popullit mekanizmi i korrupsionit elektoral, ashtu siç mjafton vullneti i këtij parlamenti sot, që sot që nesër.
Ta sjellim dhe ta hapim këtu në parlamentin shqiptar, në këtë sallë para syve të popullit, vetëm kutinë e Rruzhdies për të vendosur për më tej", - u shpreh ai. Por, në reagimin e tij Kryeministri Berisha u shpreh se në rastin e komunës së Ruzhdies ishin komisionerët socialistë ata që u larguan duke vjedhur vulën.
Por, megjithatë, sipas tij, ai asnjëherë nuk ka akuzuar Patinë Socialiste për grabitjen e mandatit në Fier, por ka respektuar vendimin e dhënë nga gjykatat. "Ruzhdia është një qendër elektorale, në të cilën tre komisionerë të Partisë Socialiste u larguan që në mëngjes, morën vulën dhe ikën.
Unë po jua them se simetrizmi i komisioneve është një nga shtyllat më kryesore të sistemit tonë për transparencën. Mbi këtë bazë kemi rënë dakord 50 për qind të Shqipërisë jeni ju mazhoritar dhe 50 për qind të pjesës tjetër jemi në mazhoritar. Megjithatë, është Gjykata e Apelit që e ka hedhur poshtë atë qendër. Ajo nuk urdhëroi përsëritje zgjedhjesh, por e hodhi poshtë.
Nga Sali Berisha as keni pasur dhe as nuk do të keni asnjë akuzë. Problemi është me Gjykatën, jo me ju", - theksoi Berisha. Ndërkaq, Gramoz Ruçi vuri në dukje se hetimi parlamentar i zgjedhjeve të 28 Qershorit do të pasohet me rikthimin përfundimtar të opozitës në Parlament.
Por, për t'u realizuar kjo sipas tij, nevojitet edhe vullneti politik i shumicës, e cila sipas Ruçit duhet të vendosë nëse e do Partinë Socialiste në Parlament ose nëse e do në protesta së bashku me popullin opozitar.
Duke paraqitur nismat ligjore në Kuvend për hapjen e kutive, Ruçi theksoi se shndërrimi në ligj i këtyre iniciativave do të shërbente edhe për kërkesat e mazhorancës aktuale kur ajo të vijë në opozitë në zgjedhjet e ardhshme. Vetëm në këtë mënyrë sipas Ruçit mund të marrë fund krimi elektoral.
"Kjo ofertë vlen për këdo që thotë sot dhe nesër se do të preken zgjedhjet, sot dhe nesër që ne jemi në opozitë dhe ju jini në pushtet, ta kini me vete dhe ju kur të jeni nesër në opozitë. Pra, ligjet i bën ky parlament, duke e kthyer me ligj me konsensus këtë ofertë nuk ka asnjë pengesë as sot dhe as më kurrë. As për pozitën e sotme dhe as për opozitën e nesërme", - nënvizoi Ruçi.
Ai i kërkoi Kryeministrit Berisha që mazhoranca të japë një përgjigje konkrete për kërkesat e opozitës dhe gjatë këtyre javëve shumica, sipas Ruçit, duhet që të punojë zgjidhjen e krizës politike përmes hapjes së kutive të votimit.
"Përfundimisht topi është në fushën tuaj z. Berisha. Ne jemi këtu për të pritur reagimin tuaj. Sigurisht në moment edhe në nuk pretendojmë që mund të jepet një përgjigje enkas, megjithatë koha duhet të punojë dhe apeli jonë është që kjo kohë duhet të punojë për zgjidhjen e kësaj krize sa më shpejt", - përfundoi ai.
Por, kryeministri Berisha duke refuzuar për të trajtuar kërkesën e opozitës për hetimin e plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve, ironizoi dhe provokoi opozitën me faktin se ai në fëmijërinë e tij nuk ka luajtur me top, por që nga fëmijëria e tij deri më tani ka kalëruar. "Zoti Ruçi, ju e mbyllët fjalën tuaj duke më thënë se topi është në fushën time.
Do të më lejosh të bëj një shpjegim. Në fëmijërinë time të hershme, në fshatin tim nuk kishte top. Po unë kisha kalë dhe që nga fëmijëria e deri më sot unë kam mbetur kavalier.
Çfarë t'i bëj unë topit, i dashur?" - provokoi Berisha. Këtë qëndrim të kreut të mazhorancës, Gramoz Ruçi e konsideroi si një fyerje e provokim për opozitën. Ai vuri në dukje se "kali" ka ngordhur, pasi vendi është në krizë politike e ekonomike dhe, sipas Ruçit, hyrja e opozitës në Kuvend kishte si qëllim, pikërisht daljen nga kjo situatë delikate.
Batutat midis Ruçit e Berishës:
Berisha: "Zoti Ruçi, ju e mbyllët fjalën tuaj duke më thënë se topi është në fushën time. Do të më lejosh të bëj një shpjegim. Në fëmijërinë time të hershme, në fshatin tim nuk kishte top. Po unë kisha kalë dhe që nga fëmijëria e deri më sot unë kam mbetur kavalier. Çfarë t'i bëj unë topit, i dashur?"
Ruçi: "Opozita hodhi një hap konkret dhe ju pa e lexuar fare dhatë përgjigjen që as doni ta lexoni. Thamë t'u japim kohë njëri-tjetrit, ju thatë jeni kavalier, zoti Berisha po kur ka ngordhur kali si i bëhet, ja pse kemi ardhur ne zoti Berisha, jo për kavalierin, por për kalin, vendi në krizë politike ekonomike e institucionale.
Të shërojmë kalin dhe jo kavalierin, ndaj erdhëm këtu që të gjejmë zgjidhjen, në të kundërt opozita është e detyruar të largohet nga salla".
Opozita në Parlament, ndërkombëtarët ndjekin seancën
Kuvend, Rama refuzon ftesën e Topallit
TIRANË - Thyerja e bojkotit nga ana e opozitës dhe hyrja e saj në Parlament për të parashtruar nismat ligjore për hetimin e zgjedhjeve është ndjekur edhe nga faktori ndërkombëtar në vend. Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri,
që kanë kërkuar shpeshherë zgjidhjen e krizës politike kanë asistuar dje nga afër për t'u njohur me qëndrimet politike parlamentare midis mazhorancës dhe opozitës për çështjen e hetimit të zgjedhjeve.
Në pjesën e lozhave të Kuvendit ishin të pranishëm ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, ambasadorja e Anglisë, Fiona McIlëham, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, ambasadorja e Francës, Maryse Daviet si dhe përfaqësues nga ambasadat e tjera. Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar përfshirë edhe diplomatët e mësipërm i kanë bërë apel Shqipërisë që të zgjidhë sa më parë krizën politike, në të kundërt do të përballet me pasoja serioze për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë që grupi parlamentar socialist hyri dje në Parlament duke thyer bojkotin gjashtëmujor, kreu i opozitës, Edi Rama, e ka bojkotuar atë duke refuzuar ftesën e dërguar përmes një letre nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Rama ishte i ftuar si kryetar i opozitës për të zënë vend në lozhat e Kuvendit. Por ai e ka refuzuar ftesën e Topallit duke lënë bosh karrigen e përgatitur për të.