Aksidentet rrugore shkaktojnë gjashtë të plagosur në Tiranë
Gjashtë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga aksidentet rrugore në Tiranë gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që policia ka proceduar penalisht tre drejtues mjetesh. Ngjarjet kanë ndodhur të gjitha gjatë ditës së shtunë, ndërkohë që policia e kryeqytetit ka mbajtur të shoqëruar gjithë autorët e tyre deri sa ka vendosur që të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Burimet nga policia bënë të ditur se nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Dritan Musabelliu, 35 vjeç, banues në Kodër-Kamzë. Nga grupi hetimor mësohet se ky person, rreth orës 20.45, te Universiteti Bujqësor, duke drejtuar mjetin "Opel", me targa TR 3052 S, është përplasur me motorin "Jamaha", me targë TR 763 B, të drejtuar nga Baftjar Sula, 55 vjeç. Si pasojë e kësaj përplasjeje ka mbetur i plagosur, duke marrë disa fraktura drejtuesi i motorit, i cili është dërguar në urgjencën e spitalit ushtarak, por fatmirësisht tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Veç këtij rasti, për ndjekje penale në gjendje të lirë është dërguar edhe Endri Cermjani, 30 vjeç, banues në Tiranë. Në lidhje me këtë aksident, seksioni i hetimit bëri të ditur se rreth orës 19.00, në rrugën e Elbasanit, e pikërisht në Bërzhitë, duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targë TR 5420 L, Endri Cermjani është përplasur me një pemë, e për pasojë është plagosur ai, por edhe pasagjerët që ndodheshin në makinë. Sipas policisë, përveç 30-vjeçarit, në spital janë dërguar edhe pasagjerët e tjerë, të cilët janë Mirije Qosja, Enisa Qosja dhe Klara Kurti, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ky ka qenë edhe aksidenti më i rëndë në Tiranë për ditën e shtunë, por fatmirësisht nuk ka vdekur asnjeri. Ndërsa për aksidentin e tretë të regjistruar nga policia e qarkullimit rrugor mësohet se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Bedri Myftaraj, 47 vjeç, banues në Farkë e Vogël. Ky person, rreth orës 01.00 të mëngjesit, në rrugën "Bardhyl", duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz" me targë TR 8565 N, është përplasur me motorin "Strong", me targë TR 3 B72, të drejtuar nga Shyqyri Saliu, 52 vjeç, banues në Tiranë, i cili edhe ky ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.