E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama bisedon me ambasadorin Sequi para takimit me Berishën

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka zhvilluar sot një takim informal me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama.

Për rreth 1 orë ambasadori Sequi dhe kreu i PS-së Rama kanë diskutuar kokë më kokë ndërsa pas takimit nga të dyja palët nuk është thënë asgjë nëse është diskutuar për zgjedhjen e presidentit të vendit.
 

I pyetur nga mediat për takimin, ambasadori Sequi u përgjigj shkurt se me kryesocialistin Rama është folur për çështjet e integrimit të vendit duke mos thënë asgjë në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri. Ndërsa nga ana e tij kryesocialisti Rama nuk ka dashur të prononcohet para mediave në lidhje me këtë takim.

Takimi Sequi-Rama zhvillohet vetëm disa orë përpara se kryesocialisti të takohet me kryeministrin Sali Berisha në kryesinë e Kuvendit.
 

Ndërkohë, nesër është edhe raundi i dytë i votimit në parlament. Mazhoranca ka zgjedhur si kandidat të saj, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjori por kjo kandidaturë është kundërshtuar nga opozita e cila e ka cilësuar si të njëanshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›