Aksidenti ajror në Iran, 70 viktima

Të paktën 70 pasagjerë të avionit iranian që u rrëzua në veri-perëndim të vendit, në afërsi të qytetit Orumyeh kanë gjetur vdekjen.
Lajmi njoftohet nga Gjysmë Hëna e Kuqe e cila saktëson se të 32 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga aksidenti i rëndë ajror.
Avioni i kompanisë ajrore IranAir, ishte nisur nga kryeqyteti Teheran me një orë vonesë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Ka pasur një numër të madh aksidentesh të avionëve iraniane këto vitet e fundit. Flota e avionëve civilë të Republikes Islamike përbëhet nga mjete të vjetëruara, që përpos kësaj, as nuk mirëmbahen sic duhet.
Në muajin korrik, një avion pasagjerësh u mbulua nga flakët ndërsa ulej në Mashad, duke vrarë 17 persona. 10 ditë përpara kësaj, një avion i vjetër Tupolev mori zjarr në ajër e u rrëzua në veri të Iranit, duke i marrë jetën të 168 personave në bord.