E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti gjatë punës, vdes punëtori 53-vjeçar

Një 53-vjeçar ka gjetur vdekjen në Tiranë teksa punonte për firmën "Arkens". Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se për këtë ngjarje të rëndë është dërguar për ndjekje penale pronari i firmës, ndërkohë që punohet për dokumentimin e plotë të saj. Sipas informacioneve nga grupi hetimor në Komisariatin Nr. 1, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Sadri Buçpapajn, 49 vjeç, banues në Kamzë, me arsim të lartë, pronar i një firme ndërtimi. Sipas policisë, ky person u dërgua për ndjekje penale, sepse në orën 09.30 të mëngjesit të djeshëm, në rrugën "Shemsi Haka", duke punuar në këtë firmë është aksidentuar me vdekje Jakë Strala, 53 vjeç, banues në Shkozë. Më tej, uniformat blu shpjeguan se pronari i firmës mund të ndiqet penalisht sipas nenit 289 të Kodit Penal, që ka të bëjë me shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë. Në këtë nen deklarohet se shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjienës dhe sigurimit nga zjarri, prej personave të ngarkuar me respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›