Gjykata njofton Aldo Baren për gjyqin në Shqipëri
Kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, është njoftuar nëpërmjet diplomacisë shqiptare për gjyqin që do të zhvillohet në datën 21 korrik në Shqipëri. Ndarja e procesit gjyqësor të Dondollakut dhe Bares ka sjellë edhe ndryshimin e trupës gjykuese, ndërsa të gjitha procedurat do të rikryhen nga e para. Kështu, gjykata ka vendosur që i pandehuri i vetëm në këtë proces, Aldo Bare, të njihet me procesin që do zhvillohet në Shqipëri. Ai pritet të gjykohet në mungesë, por më parë duhet të njihet me procedurat. Në datën 21 korrik, ora 10:30, do të fillojë seanca gjyqësore për Aldo Baren. Bare, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Turqi, do të gjykohet te Krimet e Rënda nga një pesëshe gjyqtarësh të Gjykatës së Tiranës, të kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Pak ditë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë delegoi gjyqtarët Fatmira Hajdari, Artan Broci, Kreshnik Omari, Altin Abdiu dhe Sokol Tona në Gjykatën e Krimeve të Rënda për shqyrtimin e kësaj dosjeje. Delegimi i gjyqtarëve të gjykatës së kryeqytetit u bë pas veçimit të dosjes së Bares nga Enver Dondollaku më 29 maj të këtij viti. Pas ndarjes së dosjes lindi nevoja e një pesësheje të re gjykuese, por prej faktit se gjyqtarët e Krimeve ishin "konsumuar" në gjykimin në themel dhe në shqyrtime të tjera gjatë procesit të anëtarëve të tjerë të "bandës", krijimi i saj ishte i pamundur. Bare akuzohet për vepra të rënda penale, përfshi "vrasjen me paramendim" dhe "krijim organizate kriminale".