E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet furnizuesi i heroinës pas gjashtë muajsh hetime

Arrestohet furnizuesi i një sasie heroine të kapur disa muaj më parë në Tiranë. I janë dashur rreth gjashtë muaj antidrogës së Tiranës që të dokumentojë veprën penale të Shkëlqim Micit, i cili mbahet nën përgjim, pasi dyshohet se është furnizuesi i 600 gramëve heroinë të kapur gjatë një operacioni të koduar "Qarku i Mbyllur". Bëhet fjalë për operacionin ku u arrestua Kreshnik Halilaj, i cili ishte mbajtur nën vëzhgim si shpërndarës i lëndës narkotike. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se në vijimësi të operacionit të koduar "Qarku i Mbyllur", të organizuar afro gjashtë muaj më parë nga specialistët e seksionit kundër narkotikëve, u realizua kapja dhe më pas arrestimi i bashkëpunëtorit tjetër të përfshirë në një rrjet shpërndarjeje dhe trafikimi të lëndëve narkotike, kryesisht lëndë e llojit heroinë. Falë një hetimi intensiv 6-mujor, i realizuar me metoda speciale të hetimit, u mundësua kapja e Shkëlqim Besim Micit, 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Kapja e tij u bë e mundur në Vaqar të Tiranës, teksa ai qëndronte me disa të afërm të tij. Sipas grupit hetimor nga antidroga e kryeqytetit, arrestimi i 43-vjeçarit u krye, bazuar në vendimin penal të datës 16 korrik 2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe bazuar në ekzekutimin e urdhrit për masën e sigurisë "arrest me burg", në ngarkim të tij. Policia tha se ky person, në bashkëpunim me Kreshnik Halilajn, tashmë i arrestuar me datë 11 mars 2009 dhe Geinhald Hyseni, i shpallur në kërkim me vendim gjykate, dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme të "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve". Gjatë këtij operacioni policor, në momentin e ndërhyrjes, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip "Ford", me targë TR 6244 H, një peshore elektronike, dy celularë dhe disa karta telefonike. Policia tha se materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, ndërkohë që i arrestuari nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij. Aktualisht, vazhdon puna hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për persona të tjerë të përfshirë, jo vetëm në shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, por edhe në trafikim heroine. Sipas të dhënave hetimore, edhe heroina e kapur në muajin mars dyshohet se është trafikuar nga Turqia. Policia deklaroi në atë kohë se janë bllokuar më shumë se 600 gramë heroinë. Operacioni "Qarku i Mbyllur" u realizua gjatë orëve të natës së datës 11 mars 2009, ku u arrestua edhe Kreshnik Halilaj. Sipas njoftimit të asaj kohe, policia tha se ka mundur të identifikojë edhe furnizuesin e shpërndarësit, i cili është shpallur në kërkim. Ishin efektivët e seksioni kundër drogës, që arritën të sekuestrojnë sasinë prej 600 gramë heroinë. 27-vjeçari Halilaj u kap në afërsi të rrugës "Tasim Shehu" në Tiranë, ku pas një kontrolli në banesë, iu gjet sasia prej 183.6 gramësh heroinë. Sipas hetimeve nga antidroga, dyshohet se ai e blinte lëndën narkotike te Shkëlqim Mici, i cili u arrestua dje. Kështu, policia ka ushtruar kontroll në atë kohë edhe në banesën e furnizuesit, ku u gjet sasia prej 412 gramësh heroinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›