Itali, kapet me drogë kosovari
Një tjetër operacion antidrogë është realizuar nga karabinierët italianë, të cilët kanë vënë në pranga një shqiptar nga Kosova. Ai është kapur me 15 kg heroinë të pastër në Peskara të Italisë, ndërkohë që policia fqinje dyshon se ai merrej me trafikun e saj prej disa vitesh dhe është i përfshirë në një grup shumë të madh. Policia e Italisë deklaroi ditën e djeshme se karabinierët kanë mundur të sekuestrojnë 15 kilogramë heroine të pastër në Peskara, ndërsa në pranga ka rënë një kosovar, i cili ishte i pajisur me pasaportë suedeze. Policia italiane shtoi më tej në lidhje me këtë operacion se ka mundur të gjejë sasinë e madhe të drogës të fshehur në makinën e kosovarit. Lënda narkotike, që sipas ekspertëve italianë, kap vlerën e tetë milionë eurove, ishte vendosur nëpër qese të presuara. Nuk dihet ende se cili ishte vendi i origjinës së drogës dhe destinacioni i saj. Policia tha se ka nën hetim edhe shumë të dyshuar si bashkëpunëtorë.