E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti i Kërrabës, pritet ekspertiza, ndalohet shoferi

Gazeta Shqip

Sipas prokurorisë, dëshmitarët kanë qenë konfuzë në deklarata. AK aludon për ngjarjen për qëllimshme

Policia e Elbasanit ka vendosur masën e arrestit në flagrancë për Mithat Biçakun, shoferin e autobusit që u rrëzua dje në Qafën e Krrabës. Ndërkohë grupi i hetimit është ende në pritje të publikimit të ekspertizës, për të dhënë një version përfundimtar për ngjarjen.

Paraprakisht policia deklaroi dje se: Drejtuesi Mithat Biçaku pasi ka humbur drejtimin ka dalë nga rruga. Ekspertiza e deritanishme është rezultat paraprak, ndërkohë që theksoi se po vijon puna për gjendjen teknike të mjetit të aksidentuar.

Nga ana tjetër drejtuesi i autobuzit, Mithat Biçaku deklaroi se një makinë 4×4, targën e të cilit nuk e kishte fiksuar, e përplasi në gomën e parë dhe më pas deklaroi se u godit në gomën e pasme.

Ndërsa udhëtarët, sipas prokurorisë janë konfuzë në deklaratat e tyre, duke thënë që mjeti që u preu rrugën ishte ngjyrë e bardhë ose e zezë.

Autobusi me 35 aktivistë të Aleancës Kuq e Zi, doli jashtë rrugës në vendin e quajtur Qershitë në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Si pasojë, 6 persona mbetën të plagosur, ndërsa pasagjerët e tjetër morrën lëndime të lehta. Të aksidentuarit u dërguan për trajtim pranë spitalit kirurgjikal të Elbasanit, nga ku mësohet se vetëm dy prej të plagosurve paraqiten në gjendje disi më të rëndë.

Ndërkohë edhe sot, AK aludoi se ngjarja mund të ketë një sfond politik. Makinat Range Rover me targa TR-A rezultojnë të jenë të institucioneve shtetërore, shkruhej në deklaratën e shpërndarë për mediat.

17 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Aksidenti i Kërrabës, pritet ekspertiza, ndalohet shoferi burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›