Tiranë, eksploziv makinës së policit

Foto ilustruese
Një automjet në pronësinë e një oficeri të policisë së Tiranës shpërtheu në orët e para të mëngjesit, pasi një sasi eksplozivi ishte vendosur në të. Për fat të mirë, në ngjarjen e ndodhur në orën 04:00 të së dielës nuk pati dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Mjeti, në pronësinë e efektivit E. Zhupa, ishte i parkuar në afërsi të komisariatit numër dy të kryeqytetit, kur ndodhi shpërthimi.
Forcat e rendit kanë nisur të hetojnë ngjarjen, por sipas rindërtimit të pistave paraprake, dyshohet që eksplozivi të jetë vendosur në mjet për shkak të detyrës. Aktualisht, policia po shqyrton mbi konfliktet e mundshme që E. Zhupa mund të ketë patur me rrjete kriminale gjatë kryerjes së detyrës, për të identifikuar autorët e mundshëm.
Skeleti i djegur i makinës është duke u ekzaminuar nga policia shkencore, e cila po përpiqet të identifikojë më shumë prova.
17 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)