E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Nishani: Sekondat që më bënë President

Ecja e tij është normale, veçse e ngadaltë...Nuk i ngjan ushtarakut të dikurshëm, - s’ka mbetur asgjë prej tij, - as një të sëmuri që ka një defekt shëndetësor, por as rolit të ri si President i Republikës. Bujar Nishani është diçka e përzier, njerëzor dhe pushtetar njëherësh. Pasi depërton rojet e shumta të sigurisë, të cilët e lajmërojnë për vizitorët përmes një sekretareje, teksa troket në zyrën e improvizuar presidenciale, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, që sheh nga selia presidenciale, me të cilën e ndajnë vetëm metrat dhe ditët, Bujar Nishani ngrihet nga karrigia bashkë me mirëseardhjen... Krejtësisht i qetë, i zhveshur nga emocionet që përjetoi ditën e zgjedhjes si kryetar shteti. Presidenti zë vend në njërin nga kolltukët e zyrës, pa treguar vëmendje për asnjërin nga krahët apo këmbët. Ulet normalisht dhe duket tërësisht i shëndetshëm. Kontrollon telefonin që sjell sinjalin e mesazheve herë pas here, derisa vendos t’u përgjigjet në një tjetër moment. Dhe nis bashkëbisedimi për rrugëtimin 5-vjeçar, atë për presidencën e re “Nishani”, por më parë, duke treguar për fillimin, aty nga do të startojë mandati i tij në pallatin presidencial...
Z. President, dukeni i qetë dhe i ambientuar më së miri me pozicionin e kreut të ri të Shtetit…
Për hir të së vërtetës, në kompleksitetin e pjesës emocionale që është krejt njerëzore për çdo individ, ende nuk është se jam plotësuar me portretin apo personazhin e presidentit. Por duke jetuar çdo moment, edhe për shkak të urimeve të cilat edhe tani nuk mbarojnë, edhe prej përjetimit të brendshëm tashmë të përgjegjësisë që duhet të marr dhe të ushtroj, natyrisht ka filluar të portretizohet brenda vetes individi, figura e presidentit.
Pse zyra juaj ndodhet përballë presidencës, ka ndonjë domethënie kjo?
Jo, nuk ka domethënie me vendin përballë presidencës, por natyrisht ka me këtë objekt, që është nga simbolet e aktiviteteve zyrtare të nivelit të lartë në vend dhe mendova se nuk do të kishte kuptim asnjë ambient privat, përderisa jam zgjedhur në një funksionin më të lartë publik dhe facilitetet e domosdoshme ishin në këtë zyrë. Ka pasur dhe eksperienca të mëparshme të ish-presidentëve që e kanë përdorur këtë ambient në fazën tranzitore.
Pas zgjedhjes, cila është dita juaj?
Vij në mëngjes, rreth orës 9:00, dhe qëndroj deri nga ora 15:00 e pasdites. Pas pushimit të drekës në shtëpi, rikthehem sërish në zyrë nga ora 19:00. Dal nga zyra pas 2 apo 3 orësh. Natën rri deri në 03:00 duke u rikthyer mesazhet e urimit të gjithëve atyre që më kanë dërguar dhe që ditën s’kam pasur mundësi t’ju përgjigjem. Pjesa kryesore e ditës ka të bëjë me personat të cilët po i propozoj për të qenë pjesë e stafit të tranzitimit, pasi projekti tashmë i ditës është që të krijoj një grup pune apo një ekip të tranzitimit të pushtetit, në mënyrë të atillë që të marrin menjëherë kontakt me administratën aktuale të presidencës. Kjo, për t’u njohur me mënyrën e funksionimit të presidencës, por edhe me çështjet që diskutohen, me qëllim që ditën që unë do të kem hyrë zyrtarisht për të ushtruar detyrën në presidencë, të mos kemi asnjë minutë të vetme që ta shpenzojmë për të kuptuar punën e presidencës, por të vazhdojmë njëtrajtësisht përmbushjen e obligimeve. Ka takime me miq, me qytetarë, me mediat, që është padyshim pjesa shumë e rëndësishme e aktivitetit të ditës, por dhe me bashkëpunëtorë të mitë, të cilët i kam pasur deri tani dhe që vijojnë të shprehin urimet e tyre.
Ju dërgoi mesazh urimi presidenti aktual Bamir Topi?
Po, kam marrë ditën e mërkurë një mesazh urimi në telefon dhe njëkohësisht i jam përgjigjur me falënderime për këtë urim.
Kreu i opozitës Edi Rama, ju ka uruar…?
Jo, nuk kam marrë mesazh urimi nga z.Rama. Deri më sot nuk kam marrë një urim zyrtar nga z.Rama. Gjithsesi, urimet priten zyrtarisht pasi hyn në zyrën e Presidentit të Republikës.
Po z.Nano?
Po, z.Nano më ka uruar që ditën e parë të zgjedhjes. E ka bërë me dije dhe në publik, dhe kam marrë dhe një mesazh urimi prej tij.
Të ndalemi pak tek zgjedhja juaj. Si erdhi kandidimi i Bujar Nishanit për president?
Në fakt, ne ishim në sallën e parlamentit bashkë me disa kolegë deputetë dhe po prisnim të fillonte seanca plenare për të votuar kandidaturën e Artan Hoxhës, i cili ishte shpallur zyrtarisht dhe ishte raportuar dhe në mbledhjen e grupit parlamentar të mëngjesit. Pas një kohe relativisht jo të shkurtër pritjeje në sallën e parlamentit, jam kërkuar në takim nga kryeministri dhe në zyrën e tij kam gjetur dhe krerët e partive aleate. Më kanë bërë prezente situatën që ishte krijuar, - që z.Hoxha kishte dhënë dorëheqjen dhe që nuk ishte bërë publike, - dhe më thanë se “ne kemi konkluduar tek kandidatura jote, si një nga emrat e diskutuar një ditë më parë”.
Ishte e pritshme për ju?
Përkundrazi, ishte krejtësisht e papritur. Më zuri në befasi, megjithëse emri ishte diskutuar në listën e një nate më parë.
Hezituat, apo vendosët menjëherë ta pranonit sfidën e votimit?
Nuk pata shumë kohë për t’u menduar, për të bërë analiza të gjata. Ka qenë vetëm një moment i një reagimi të brendshëm, për të cilin ndoshta njeriu shpeshherë nuk gjen argumente më vonë për ta shpjeguar; një besim në atë çfarë unë mund të ofroja me një kontribut në një pozicion kaq të rëndësishëm, por vërtet me një besim, që edhe në këto momente unë nuk ta shpjegoj nga cilat rrethana ka ardhur. Dhe pasi i falënderova, u thashë: “Sigurisht që pranoj të kandidoj”. Nuk di të them se sa minuta kemi qëndruar në këto rrethana, por nuk kishte kohë të gjatë për t’u menduar, ndaj kërkohej menjëherë përgjigjja ime. Pranimin e kam bërë me besim të plotë dhe me një qartësi të plotë.
Kishit dyshime se mund të kishte rrjedhje votash? Të paktën këtë frikë e kishte dhe kryeministri, frikë të cilën e bëri evidente në mbledhjen e grupit të deputetëve?
Në momente të tilla njeriu i mendon të gjitha variantet, por mund t’ju them se, sa herë mendoja variantin e dështimit, më binte, më rrëzohej menjëherë ajo ndjesi. Gjithmonë më ka dominuar një lloj besimi entuziast. Nuk e di se nga më vinte, por ka qenë tërësisht një pjesë e brendshme, një qetësi normale dhe një situatë ku në 90 për qind të kohës dominonte entuziazmi dhe besimi.
Ju dha siguri të plotë z.Berisha se do të ishit i fituar në votim?
Jo vetëm në rastin tim, por edhe në rastin kur janë diskutuar në grupin parlamentar të dy kandidaturat e mëparshme, - qoftë ajo e z.Zaganjori, qoftë ajo e z.Hoxha, por edhe kandidatura ime së fundmi, - kryeministri ka folur me të njëjtën gjuhë: Ai ka besuar tek numrat e mazhorancës, ka besuar tërësisht tek qëndrimi i votave të deputetëve. Nuk është se ka pasur ndonjë garanci ekstra të veçantë, por ka pasur një qëndrim shumë korrekt dhe besues me mazhorancën, që kishte votat në parlament.
Mendoni se tek votat e plota ndikoi kërcënimi i z.Berisha ndaj deputetëve, se nëse nuk ju votonin ju, të nesërmen do të kishte zgjedhje të parakohshme?
Nuk ka qenë tamam kështu. Ka qenë një komunikim mjaft i hapur. Kishin mbetur dhe dy raunde. Kryeministri ka kërkuar kompaktësinë e grupit të PD-së, pasi kompaktësia e deputetëve të grupeve të tjera të partive aleate, i ishte konfirmuar kryeministrit, ndaj deklaroi se “nëse dështojmë në këtë raund, do të bëjmë menjëherë raundin e fundit, në bazë dhe të eksperiencave të tjera dhe natyrisht, nëse dështon në 5 raunde, vetë Kushtetuta thotë se do të shkoni në zgjedhje të reja”. Nuk ka patur asnjë notë shantazhi apo kërcënimi. Ka qenë një komunikim krejt i sinqertë dhe krejt i hapur i procesit që të gjithë ne e kishim përpara.
Zgjedhja juaj në krye të shtetit, bëri më shumë të pakënaqur brenda PD-së?
Kam parë një reagim pas rezultatit të votimit, pasi përpara nuk mund të flasësh, sepse në mbledhjen e grupit nuk pati debate. Dhe ajo që më ka bërë përshtypje është se kam parë një reagim që nuk e prisja, për hir të së vërtetës, shumë miqësor, shumë dashamirës, shumë entuziast, kur u numëruan votat.
Megjithatë, entuziazmi dhe gëzimi i kolegëve tuaj ngjante hipokrit në momentin që fituat votat për postin e presidentit…
Jo, sepse të gjithë kolegët e mi kishin një sinqeritet maksimal me urimet që po më bënin dhe një gëzim njerëzor dhe aspak hipokrit në ato momente.
Po atë ditë, ju dhatë dorëheqjen nga ministër i Brendshëm. Po mandatin e deputetit, e keni dorëzuar?
Po, e kam depozituar kërkesën për dorëzimin e mandatit të deputetit, paraditen e së premtes në Kuvend.
Ju ka mbetur afro një muaj kohë për të shkuar në presidencë, por a e keni piketuar stafin tuaj presidencial? Do të dominojnë njerëzit partiakë, apo profesionalë në Presidencën “Nishani”?
Për mua do të jetë vetëm një kriter, që ka të bëjë me nivelin e profesionalizimit, me integritetin qytetar dhe moral të personazhit, padyshim me vlerat intelektuale dhe me dëshirën dhe vullnetin për të bashkëpunuar me presidentin. Nuk kam dhe nuk përjashtoj qëmtimin dhe ofronim e personazheve, qoftë nga administrata aktuale publike, qoftë nga jeta akademike; nuk përjashtoj asnjë.
Do të bëni “spastrime” në masë, rotacion presidencial?
Unë asnjëherë nuk e konsideroj spastrim, por natyrisht stafi i afërt, këshilltarët, administrata e afërt e presidentit, ajo që konsiderohet administrata e një presidenti të caktuar, natyrisht që ka një rotacion.
E keni menduar se cili do të jetë vendimi i parë që do të merrni kur të hyni në zyrën presidenciale?
Nuk mund ta parashikoj, por ajo që është kryesorja ka të bëjë me faktin se ditën që do të hyj zyrtarisht në zyrën e Presidentit të Republikës, do të vazhdoj punët dhe çështjet që kanë qenë në ndjekje nga administrata aktuale e presidentit. Kjo është ideja dhe qëllimi i krijimit të ekipit të tranzitimit të pushtetit, në mënyrë që vendi, institucioni, të mos ndjejë as dhe një orë të vetme një lloj ndalese, por presidenti dhe stafi i tij, në momentin që hyn në zyrë të vazhdojë punën normalisht, pikërisht me të njëjtin intensitet me të cilin çështjet kanë qenë në ndjekje nga paraardhësi.
Do të vazhdoni çështjet pezull të z.Topi, por, sa do të mund t’i shpëtoni konfliktualitetit me mazhorancën që ju votoi, apo do të jeni “i binduri” para saj?
Natyrisht, çështjet që trajton presidenti dhe çështjet që ka presidenca janë të njëjta, nuk ndryshojnë ato që i përcakton Kushtetuta. Ndërsa qasja ndaj tyre ka të bëjë dhe me individualitetin dhe personalitetin e gjithsecilit dhe mënyrën se si e ka këndvështrimin ndaj çështjeve, si dhe, si i përcakton prioritet dhe si duhen zgjidhur ato. Kështu që, janë dy gjëra të ndryshme. Unë jam i bindur dhe besoj tërësisht tek ajo ç’ka unë i kam deklaruar edhe opinionit publik dhe medias që ka qenë e interesuar. Nuk e kam parë dhe nuk mendoj që Presidenti i Republikës është mbi palët, në atë çfarë kupton gjuha shqipe “mbi palët”. Për ta sqaruar, dhe për të mos krijuar ndonjë keqkuptim, ‘mbi palët’, do të thotë që ne kemi pushtet të caktuar në Shqipëri. Në një Republikë, parlamenti ka pozicionin dhe funksionin e vet, është qeveria po ashtu që ka vendin e vet, institucionet e tjera të pavarura kushtetuese. Unë e shoh presidentin si një detyrim kushtetues, që të qëndrojë jashtë palëve.
Çfarë nënkupton kjo?
Që mos të jetë i ndikuar nga asnjëra palë. Të mos tentojë të jetë i ndikuar ndaj asnjë pale, të mos e lejojë veten që të përdoret nga institucionet apo ndaj interesave dhe funksionimit normal të institucioneve të tjera kushtetuese. Pra, duke qëndruar në mënyrë strikte në paanësinë e tij, në drejtësinë e vendimeve që duhet të marrin, në përcaktimet tërësisht kushtetuese dhe duke besuar fort në rëndësinë e lirisë dhe integritetit të individit, të gjitha këto do ta bëjnë shumë më të lehtë detyrën e Presidentit të Republikës. Pikërisht unë, duke besuar në këto vlera, besoj dhe në suksesin e mandatit që do të kem.
Cili do të jetë qëndrimi juaj presidencial ndaj opozitës, që nuk ju votoi në kuvend?
Së pari, për mosdhënien e votës nuk kam asnjë paragjykim dhe asnjë keqkuptim. Ai ka qenë një vendim tërësisht sovran i opozitës. Nuk ka asnjë ndikim në perceptimin tim, në respektin maksimal dhe në gatishmërinë për të bashkëpunuar, për të komunikuar me opozitën, me mazhorancën, me institucionet e tjera kushtetuese.
Mazhoranca dhe opozita, do ta kenë njësoj derën të hapur, të Presidentit të Republikës?
Patjetër. Ashtu si mazhoranca, dhe opozita do ta ketë njësoj derën të hapur, të Presidentit të Republikës. Do të kenë të njëjtin ambient në zyrën e presidentit. Do të kenë të njëjtën ndjeshmëri të respektit dhe vlerësimit, si mazhoranca ashtu dhe opozita, të Presidentit të vendit. Do të kenë të njëjtin sens dhe masë të dëshirës për të bashkëpunuar si mazhoranca dhe opozita, pa asnjë lloj diference, ashtu siç dhe kam një besim të fortë, që atë bashkëpunim që ka ofruar deri tani mazhoranca dhe e ka shprehur, po atë korrektësi do ta ketë dhe nga opozita.
Nga do t’ia filloni punës suaj…?
Së pari, parlamenti të diskutonte dhe të miratonte një ligj për Presidentin, i cili do të jetë më i qartë, do të rregullojë shumë më mirë mënyrën e funksionimit dhe të identifikojë më mirë fushat dhe punën që ka përgjegjësi Presidenti i Republikës. Ligji kalon në detaje çdo prerogative të Kushtetutës që ka presidenti. Por fusha kryesore është drejtësia. Presidenti ka një rol të rëndësishëm në reformat në fushën e drejtësisë, - kam parasysh prokurorinë dhe sistemin gjyqësor. Besoj se ky do të jetë dhe prioriteti kryesor i angazhimit të presidencës në 5 vitet e ardhshme. Janë fusha në të cilat presidenti duhet të punojë me dy aktorë të rëndësishëm, në radhë të parë me komunitetin e gjyqtarëve, i cili përfaqësohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në KLD, por edhe për tej KLD-së, i cili është mekanizimi kryesor i reformave dhe i emërimeve në sistemin e drejtësisë, kryesisht për gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe Apelit, por edhe me parlamentin, ku palët janë të përfaqësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë përsa gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Unë besoj që ne duhet të vendosim një set, - të diskutuar më parë, transparent dhe të pranuar nga komuniteti i gjyqtarëve dhe të miratuar nga autoritetet e institucioneve përkatëse, - të kritereve që kanë të bëjnë me promovimin e gjyqtarëve në karrierën e tyre, qoftë ata të Shkallës së Parë, Apelit, të drejtuesve të gjykatave, por edhe ata të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Kjo, në mënyrë të tillë që transparenca dhe kriteret e meritës të jenë baza nga e cila të mos ketë mundësi të devijojë as Presidenti i Republikës, as KLD-ja dhe as parlamenti, në aprovimin në vendimin që marrin për sa i përket kësaj fushe.
Çdo lëvizje në drejtim të shërbimit sekret, do të jetë jo vetëm kushtetuese, por dhe me pëlqimin e opozitës?
Së pari, nuk është kompetencë e Presidentit të Republikës të iniciojë dhe të ndërmarrë shkarkimin e kreut të SHISH-it. Së dyti, unë nuk kam konstatuar ndonjë kontradiktë mes mazhorancës, por çdo akt i ndërmarrë do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me frymën që përcakton Kushtetuta. Çështja e konsultimeve, bashkërendimit, është një çështje krejt normale, e cila vetëm do ta ndihmojë, do ta përshpejtojë në mënyrën më të mirë të mundshme ndërmarrjen e çdo reforme dhe arritjen e rezultatit për të cilin ndërmerren këto reforma.
Përveç kreut të SHISH-it është dhe prokuroria. Në muajt e fundit të 2012-ës skadon mandati i kryeprokurores Ina Rama. Si do të vijë emri i pasuesit të saj, apo dhe emërimet e tjera në sistemin e drejtësisë?
Ju garantoj që çdo akt do të udhëhiqet në radhë të parë nga obligimet kushtetuese dhe së dyti, në interesat më të mira të vendit. Presidenti i Republikës ka një mundësi shumë të madhe, për të ofruar një kontribut konkret të prekshëm për qytetarët shqiptarë për sa i takon sistemit të drejtësisë. Flas, dhe për prokurorinë dhe për sistemin gjyqësor. Natyrisht, kjo do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë në radhë të parë me komunitetin e gjyqtarëve, të prokurorëve, po pazgjidhshmërisht edhe me Parlamentin.
Do ndjehet ‘dora e fortë’ në mandatin e Presidencës “Nishani”?
Nuk do kisha dëshirë të perceptohet si ‘dorë e fortë’ për atë që qarkullon në përgjithësi në ambientin tonë për institucionin e presidentit, por ju garantoj se ai do të jetë tërësisht kushtetues në radhë të parë, do të jetë shumë i qetë, do të jetë tërësisht dashamirës, do të jetë i përgjegjshëm, do të jetë intensiv për aq sa i takon Presidentit të Republikës, as më pak dhe as më shumë. Besoj se ekzistenca e bashkëpunimit, e drejtësisë dhe e kushtetutshmërisë do të jetë rrethi mbi të cilin do të qëndrojë gjykimi dhe vendimmarrja në tryezën e Presidentit të Republikës.
Së fundmi, në momentin që do të hyni në presidencë, do të jetoni në banesën tuaj private, apo në vilën nr.4?
Aktualisht nuk kemi marrë një vendim, pasi më duhet ta diskutoj së bashku me familjen. Por këto ditë po më mundon një situatë, që po krijohet ndoshta për shkak të rregullave që ka protokolli dhe Garda e Republikës. Duke qenë se eskorta e Presidentit është më e madhe se ajo e ministrit të Brendshëm dhe zona në të cilën banoj, Selita, është një zonë shumë e dendur banimi, e ndjej veten shumë në siklet kur shoh se qytetarëve u ndalohet kalimi derisa të kalojë eskorta e Presidentit. Më duket sikur u hyj në intimitetin e tyre, në momentin e lirisë së tyre. Ky ndoshta do të jetë një shkak, për të parë dhe për të vlerësuar, gjykuar më ftohtë, se ku duhet të banoj, natyrisht duke respektuar rregullat që do të ketë protokolli dhe Garda e Republikës.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›