Aksidenti i merr jetën 65-vjeçarit
FIER- Një aksident i rëndë automobilistik i ndodhur në periferi të Lushnjes i ka marrë jetën një 65-vjeçari, i cili po lëvizte me biçikletë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Çermë-Divjake kur një automjet me targa italiane, i drejtuar nga shtetasi Roberto Kostandino, 68 vjeç, ka goditur shtetasin Nasi Prifti me banim në Divjakë.
I moshuari që po udhëtonte me biçikletë, ka marrë plagë të rënda në kokë dhe disa pjesë të tjera të trupit. Edhe pse i është dhënë ndihma e parë, 65-vjeçari ka humbur jetë. Në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu të komisariatit të Lushnjes, të cilat pasi kryen veprimet e para mbi rrethanat e ngjarjes, konstatuan se shkak i aksidentit ishte pakujdesia e viktimës Nasi Prifti.
Sipas eksperteve, 65- vjeçari i ka prerë rrugën në mënyrë të menjëhershme mjetit me targa italiane që udhëtonte në të njëjtin drejtim me të. Drejtuesi i mjetit, me gjithë shmangien në çastin e përplasjes, nuk ka mundur të parandaloje goditjen vdekjeprurëse. Pas kryerjes së ekspertizës, policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit, italianin Roberto Kostandino.