E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Kolegji vulosi padrejtësinë me votën e shqiptarëve

Socialistët duket se e kanë ndarë mendjen për të mos e njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe, për rrjedhojë, as institucionet që do të ngrihen mbi bazën e tij, siç është Parlamenti dhe qeveria. Megjithëse një vendimmarrje e tillë i përket tashmë Asamblesë Kombëtare dhe Kongresit të jashtëzakonshëm, PS-ja ka vijuar edhe dje që ta konsiderojë koalicionin e ri qeverisës që pritet të konstituohet në ditët në vijim, jo vetëm ilegjitim, por edhe shtatanik, për shkak të mandateve që ajo pretendon se janë vjedhur, duke lënë të kuptohet qartë qëndrimi që do të mbajnë dhe këto dy forume.


Në një dalje për mediat, zëdhënësja e PS-së Armela Imeraj, duke reaguar për deklaratat e një dite më parë të Kryeministrit, Sali Berisha kundrejt kreut të opozitës, Edi Rama, nuk ka lënë pa ripërsëritur se, opozitës, në mënyrë të turpshme iu mohua e drejta për të bërë transparencë mbi kutitë e votimit të qarqeve Berat, Tiranë dhe Shkodër. Në vijim të këtij qëndrimi, selia rozë ka sulmuar edhe Kolegjin Zgjedhor, i cili sipas saj vulosi padrejtësinë e certifikuar më parë prej KQZ-së.

"Dje, Sali Berisha vijoi rrugëtimin e turpshëm të akuzave e të shpifjeve në adresën e kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që në rrugën e asgjëkundit hyri përfundimisht qeveria shtatanike e çiftit të ri të politikës së vjetër, e cila doli jo vetëm nga zgjedhje pa standarde demokratike, por edhe nga dhunimi i ligjit dhe të drejtës demokratike të opozitës deri në etapën e fundit të procesit, ku drejtësia nuk dha drejtësi, por vulosi padrejtësinë e pandershmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit", - tha Imeraj.


Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i qeverisë, e cila duke cituar një deklaratë të mbajtur prej Kryeministrit Berisha në Kukës, ka theksuar se koalicioni dhe qeveria që do të dalë është legjitim, pasi bazohet mbi votat që i dhanë qytetarët. "Nuk është ai (Rama) që përcakton legjitimitetin e qeverisë, por atë e përcakton sovrani, i cili i rezervoi atij banesën e humbjes, i dha humbjen. Tani po të dojë, të bëjë Hamletin çdo ditë në monologun e tij, ne do të ecin drejt Shqipërisë europiane. Kjo zonë do të ketë një rrugë të standardeve evropiane", - tha Berisha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›