Meksi: Rama ka vepruar drejt
Intervista / Anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, komenton zhvillimet politike në vend dhe kryesisht tek e majta
Është koha për solidaritet dhe jo për disfatizëm. Me këtë mesazh u drejtohet anëtarja e kryesisë së selisë rozë, Ermelinda Meksi, të gjithë socialistëve, gjatë një analize që i bën situatës politike, që është krijuar në parti, pas rezultateve jo të pritshme të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke marrë shkas nga debatet më të fundit që kanë lindur në gjirin e kësaj force në lidhje me përgjegjësitë e këtij rezultati, Meksi del hapur në krah të kreut socialist, Edi Rama, duke e mbështetur atë për qëndrimin që ka mbajtur deri tani, për sa i përket procesit zgjedhor. Kjo, sipas saj, është dhe dëshira dhe qëndrimi që ka shprehur edhe elektorati socialist në mesazhet që u ka përcjellë të zgjedhurve të vet. Gjithashtu, ajo i konsideron zërat kundër në parti si produkt të diversionit që bën Berisha ndaj PS-së dhe kryetarit të saj.
Pas shumë peripecish të hetimit administrativ dhe atij gjyqësor, PS-ja ka mundur të sigurojë mandatin e nëntë në Qarkun e Fierit. Ka patur disa vendime të KQZ-së, të cilat rrëzonin njëra-tjetrën, duke krijuar një situatë kaotike për rezultatin e zgjedhjeve në këtë qark. A besoni se shqyrtimi i kësaj çështjeje ka qenë i ndikuar politikisht?
Partia Socialiste, mandatin e nëntë në Fier nuk e ka dhuratë, por e ka fituar me votat e popullit të kësaj zone, që në mënyrë plebishitare e votuan atë. Gjej rastin t'i falënderoj, jo vetëm për mbështetjen që na dhanë, por edhe për kurajën civile që treguan, duke i mbrojtur me vendosmëri votat e tyre, të cilat Berisha dhe sejmenët e tij u përpoqën me të gjitha mënyrat e me të gjitha mjetet t'i vidhnin e t'i grabisnin. Hapja e kutive të Fierit, për të cilat këmbënguli me forcë PS-ja, tregoi se ne kishim të drejtë. Hapja e tyre ishte gjithashtu shembulli konkret, i qartë dhe i lexueshëm për të gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët, se Berisha i sotëm nuk ka ndryshuar aspak nga ai i vitit 1996.
Ai nuk ka bërë asnjëherë dhe nuk ka ndërmend kurrë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Ajo që ndodhi në Fier dhe mënyra se si u vodhën votat e u përdhosën plotësisht standardet e procesit zgjedhor, është vërtet shumë shqetësuese. Ndjej keqardhje që ky fakt kaq tronditës është komentuar pak ose aspak nga mediat dhe opinionbërësit, ndërkohë që fokusi ka kaluar në mënyrë jo të drejtë nga farsa e numërimit të votave aq jetike për demokracinë, tek çështjet e brendshme të PS-së apo vendimmarrjen e ardhshme të kryetarit të saj. Për mua, i gjithë ky proces është zhvilluar nën trysninë e fortë të pushtetarëve, me qëllimin e vetëm për të deformuar rezultatin në favor të tyre.
Ndërkohë, pavarësisht rezultatit në këtë qark, duket se PS-ja dhe koalicioni që ajo drejtoi mori një rezultat që nuk e bën atë mazhorancë. Cili është komenti juaj për këtë?
Ne nuk morëm atë që prisnim. Nuk arritëm të marrim numrin e nevojshëm të deputetëve për të qeverisur, pavarësisht numrit më të madh të votave që morëm. Vlen të theksohet këtu se asnjë forcë politike nuk mori numrin e nevojshëm të deputetëve për të qeverisur e kjo është më evidente për koalicionin në pushtet.
Është kjo arsyeja që Berisha, ndërkohë që kërkonte të dhunonte procesin e numërimit, nxitoi të ujdiste një koalicion me Metën. PS-ja ka kërkuar zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit, transparencën e procesit zgjedhor, e lidhur kjo me shpëtimin e demokracisë dhe të ardhmen e shqiptarëve në BE. Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së e thanë troç në takimin me anëtarët e Kolegjit Zgjedhor: "Procesi u prish gjatë numërimit. Kolegji të ketë kujdes. Vlerësimi i ndërkombëtarëve për zgjedhjet do të varet kryesisht nga procesi i trajtimit të ankesave. Vendit i duhet qeveri legjitime". Nga ana tjetër, një sërë problemesh si Regjistri Themeltar, me shumë dublime e mangësi në dëm të PS-së; ndryshimet në ditët e fundit në listat e zgjedhësve; seleksionimi për pajisjen me kartat e identitetit, duke u dhënë përparësi nga qeveria anëtarëve e simpatizantëve të PD-së; presioni mbi administratën shtetërore; inaugurimet dhe premtimet elektorale të Berishës; abuzimet me fondet publike, janë një sërë faktorësh që ndikuan në cenimin e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Sidoqoftë, pasi të certifikohet përfundimisht rezultati zgjedhor, PS-ja do të bëjë analizën e saj të thellë, pa pasione, pa mllefe kundrejt njëri-tjetrit, me gjakftohtësi dhe në funksion të përshpejtimit të ardhjes në pushtet dhe shkurtimit të ditëve të qeverisë Berisha-Meta.
Kohët e fundit është hapur një debat në PS, ku zëra të ndryshëm në këtë forcë kanë kërkuar prej lidershipit pranimin e humbjes dhe analizën për këtë humbje, duke lënë të kuptohet hapur kërkesën për një dorëheqje të kreut të PS-së Edi Rama, si përgjegjës për këtë rezultat. Cili është vlerësimi juaj lidhur me këtë debat?
Unë mendoj se çdo gjë ka kohën e vet. Nxitimi në marrjen e vendimeve për secilin, do të ishte i dëmshëm e sigurisht që kjo vlen para së gjithash për kryetarin e PS-së. Mendoj se diskutimi dhe analiza për zgjedhjet dhe hapat e mëtejshëm u takojnë më së pari socialistëve dhe forumeve të zgjedhura të partisë. Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se diversioni që po ushtrohet mbi PS-në dhe kryetarin e saj, si gjithmonë nga kundërshtari i saj politik, nuk do ketë sukses. Askush, aq më tepër PD-ja, nuk mund të emërojë kryetarin e PS-së. Duhet të kuptojmë që ka një realitet të ri pas 28 qershorit dhe të gjitha vendimet duhet të merren duke pasur parasysh se, në këto momente, kur legjitimiteti i zgjedhjeve është cenuar së tepërmi, duhet të mbajmë të fortë shpresën e elektoratit te PS-ja dhe jo ta demotivojmë atë, duke stimuluar përçarjen.
Sot më shumë se kurrë nuk është koha për disfatizëm, sepse Partia Socialiste është forca politike më e votuar në vend dhe shpresë e së ardhmes. Ne, deputetët, kemi përgjegjësinë të respektojmë vullnetin e atyre që na kanë votuar, të cilët nëpërmjet mesazheve të shumta që na dërgojnë çdo ditë, kërkojnë përgjegjshmëri nga ne drejtuesit e partisë. Në shumë mesazhe që kam marrë gjithë këto ditë dhe nga takimet me zgjedhësit e Qarkut të Fierit, edhe ditët e fundit vjen mbështetja, veçanërisht në këto momente për PS-në dhe kryetarin e saj, duke na kujtuar se duhet të kemi të qartë rrezikun që përfaqëson ujdia Berisha-Meta për goditjen dhe diversionin ndaj PS-së, si forca më e madhe politike në vend. Për sa i takon analizës, ajo do të duhej të fillonte nga çdo anëtar i sekretariatit, kryesisë, si dhe kandidatëve për deputetë, për sa kanë qenë të ngarkuar me detyrat konkrete për zgjedhjet.
Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë: "Bleta di si bëhet mjalti". PS-ja ngjan me bletën punëtore që e di çfarë betejash e presin në të ardhmen e për t'i përballuar me sukses, duhet të punojë shumë, të jetë vigjilente dhe të mos lejojë hyrjen e grerëzave në kosheren e saj për të ngrënë fillimisht mjaltin e pastaj gjithë bletët. Në këto momente na duhet më shumë se kurrë solidariteti si tipar i së majtës europiane, bashkëpunimi, uniteti i grupit parlamentar, koordinimi i punëve me të gjithë faktorët brenda dhe jashtë PS-së. Lesingu, shkrimtari i madh gjerman, thoshte: "Në jetë ka dy rrugë: njëra është ajo kur njeriu ecën me pikësynim, kurse tjetra kur njeriu ecën pa asnjë qëllim". Nisur nga kjo, mendoj se Edi Rama ka vepruar drejt, duke synuar aktualisht të mbrojë me të gjitha mjetet demokratike e ligjore votat e shqiptarëve për PS-në, e më pas të analizojmë me seriozitet rezultatin në këto zgjedhje, në të gjitha nivelet e forumeve të Partisë Socialiste. Në këto forume çdo socialist është i lirë të shprehë mendimet e veta, ku mund të bëjë dhe propozimet përkatëse për përmirësim.
Nga ana tjetër, sikur të mos mjaftonte kjo situatë në PS, pas zgjedhjeve kemi parë një forcë si LSI-ja, e cila e konsideronte veten si parti e majtë, të kalojë djathtas, duke bërë koalicion me Berishën. Sa morale është kjo dhe sa mund të funksionojë një qeverisje e tillë?
Sigurisht që, në kushtet kur Berisha më parë e shpallte hajdut, të korruptuar, kriminel, armik të papajtueshëm Metën, ndërsa tani së bashku do bashkëqeverisin, në një kohë kur Meta vetëm disa ditë para 28 qershorit u kërkonte votën shqiptarëve për të larguar nga qeveria "Sali Gërdecin", është shumë vështirë të flasësh për moralitet të kësaj qeverie. Qeveria që pritet të krijohet është një sajesë e ujdisur që më parë, ku nuk kanë vend as morali e as parimet. Si e tillë, ajo është e destinuar të jetë jetëshkurtër. Një qeverie të tillë, të krijuar për nevojat e ditës, do t'i duhet të udhëheqë një Shqipëri në krizë ekonomike.
E kam theksuar edhe në një konferencë shtypi para pak ditësh: shqiptarëve ju privua e drejta për të lëvizur lirshëm në Europë e qeveria nuk ndjen përgjegjësi, po vazhdon me gënjeshtra e premtime boshe. Megalomania e pushtetarëve të sotëm arrin deri aty sa thuhet se ne jemi shumë para vendeve të rajonit që përfituan liberalizimin e vizave. Taksat po rriten, bizneset po falimentojnë, papunësia po shtohet, prodhimi po bie, borxhi dhe interesat për borxhin po rriten. Vazhdon zhvleftësimi i lekut, përkeqësohet situata e kredive të këqija. Një qeveri jolegjitime, e brishtë, e ndërtuar mbi një koalicion amoral, nuk mund të përballojë këtë situatë që e ka krijuar vetë ajo, prandaj zgjidhja do ishte një qeveri teknike dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
Për rezultatin:
"Ne nuk morëm atë që prisnim. Nuk arritëm të marrim numrin e nevojshëm të deputetëve për të qeverisur, pavarësisht numrit më të madh të votave që morëm. Vlen të theksohet këtu se asnjë forcë politike nuk mori numrin e nevojshëm të deputetëve për të qeverisur e kjo është më evidente për koalicionin në pushtet".
Për dorëheqjen:
"Mendoj se diskutimi dhe analiza për zgjedhjet dhe hapat e mëtejshëm u takojnë më së pari socialistëve dhe forumeve të zgjedhura të partisë. Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se diversioni që po ushtrohet mbi PS-në dhe kryetarin e saj, si gjithmonë nga kundërshtari i saj politik, nuk do ketë sukses. Askush, aq më tepër PD-ja, nuk mund të emërojë kryetarin e PS-së".
Për mbështetjen:
"Në shumë mesazhe që kam marrë gjithë këto ditë dhe nga takimet me zgjedhësit e Qarkut të Fierit, edhe ditët e fundit vjen mbështetja, veçanërisht në këto momente për PS-në dhe kryetarin e saj, duke na kujtuar se duhet të kemi të qartë rrezikun që përfaqëson ujdia Berisha-Meta për goditjen dhe diversionin ndaj PS-së, si forca më e madhe politike në vend".
Për analizën:
"Për sa i takon analizës, ajo do të duhej të fillonte nga çdo anëtar i sekretariatit, kryesisë, si dhe kandidatëve për deputetë, për sa kanë qenë të ngarkuar me detyrat konkrete për zgjedhjet. Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë: 'Bleta di si bëhet mjalti'"
Për qeverinë:
"Taksat po rriten, bizneset po falimentojnë, papunësia po shtohet, prodhimi po bie, borxhi dhe interesat për borxhin po rriten. Vazhdon zhvleftësimi i lekut, përkeqësohet situata e kredive të këqija. Një qeveri jolegjitime, e brishtë, e ndërtuar mbi një koalicion amoral, nuk mund të përballojë këtë situatë që e ka krijuar vetë ajo, prandaj zgjidhja do ishte një qeveri teknike dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme"
Për PD-LSI:
"Qeveria që pritet të krijohet është një sajesë e ujdisur që më parë, ku nuk kanë vend as morali e as parimet. Si e tillë, ajo është e destinuar të jetë jetëshkurtër. Një qeverie të tillë, të krijuar për nevojat e ditës, do t'i duhet të udhëheqë një Shqipëri në krizë ekonomike"
Për Fierin:
"Hapja e kutive të Fierit, për të cilat këmbënguli me forcë PS-ja, tregoi se ne kishim të drejtë. Hapja e tyre ishte gjithashtu shembulli konkret, i qartë dhe i lexueshëm për të gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët, se Berisha i sotëm nuk ka ndryshuar aspak nga ai i vitit 1996. Ai nuk ka bërë asnjëherë dhe nuk ka ndërmend kurrë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme"
Për zgjedhjet:
"Ajo që ndodhi në Fier dhe mënyra se si u vodhën votat e u përdhosën plotësisht standardet e procesit zgjedhor, është vërtet shumë shqetësuese. Për mua, i gjithë ky proces është zhvilluar nën trysninë e fortë të pushtetarëve, me qëllimin e vetëm për të deformuar rezultatin në favor të tyre"