E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti i parë në Rrëshen-Kalimash

 

RRESHEN/ JONUZ HALLAÇI

Shënohet aksidenti i parë në segmentin e sapoinauguruar Rrëshen-Kalimash. Tre ditë pas prerjes së shiritit nga kryeministri Berisha, 5 persona, të nisur drejt Kosovës kanë rrezikuar jetën. Anëtarët e një familjeje, mes tyre dy fëmijë, u plagosën rëndë, pasi makina e tyre u përplas me një tjetër, pak metra para se të hynin në galerinë e tunelit të Kalimashit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, bëhet e ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 15:30, në vendin ku superstrada degëzohet në fshatin Gëziq. Kjo pjesë përkon me pjesën e rrugës ende të papërfunduar, për shkak të urave që janë në ndërtim e sipër. Mjetet e përfshira në aksident ishin një “Opel”, me targë 540 KS 800, drejtuar nga 76-vjeçari nga Kosova Bujar Mema dhe makina “Fiat Tipo” me targë TR 6467 L, me drejtues shtetasin Spartak Hyka, 42 vjeç, banues ne Tirane. Ekspertët e policisë bënë të ditur se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit nga shoferët si dhe lagështirë në rrugë. Të dy drejtuesit nuk kanë mundur të qëndrojnë në rrugë, në momentin kur sapo lë superstradën duhet të udhëtosh në një pjesë të pjerrët dhe të ngushtë, devijim i detyruar për shkak se dy urat nuk kanë mbaruar ende. Makinat janë përplasur ballazi, duke shkaktuar pesë të lënduar. Ata janë shtetasit Lutfi Hyka, 75 vjeç, Bajram Hyka, 67 vjeç, Alena Hyka, 2 vjeçe, Anisa Hyka, 7 vjeçe dhe drejtuesi i makinës, Spartak Hysa. Të pestë të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitalit të Rrëshenit, ku kanë marrë mjekime. Sipas mjekëve ata janë jashtë rrezikut për jetën, ndonëse për shkak të moshës, gjendja e 75-vjeçarit duket më e rëndë.
Në ditët e para të hapjes së segmentit Rrëshen-Kalimash ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm të qarkullimit të automjeteve. Pjesa më e madhe e tyre, të shtyrë nga kureshtja, kanë udhëtuar nga Kosova drejt Shqipërisë, për të parë rrugën dhe galerinë e hapur të tunelit të Kalimashit. Megjithë inaugurimin e bërë për tunelin, ende aty nuk ka përfunduar investimi i plotë. Aktualisht mungon sinjalistika dhe forcat e sigurisë, të cilat do të trajnohen për mbarëvajtjen e qarkullimit. Gjithashtu, ende nuk ka përfunduar një pjesë e segmentit Rrëshen-Kalimash, aty ku ndodhi aksidenti i djeshëm, ndërsa probleme ka dhe në pjesën fundore të projektit, nga tuneli i Kalimashit në Morin, kufi me Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›